Ulet numri i emigrantëve ilegal, Britania vlerëson Policinë Shqiptare
Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve britanike po jep rezultate konkrete në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar. Gjatë një takimi mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe zëvendësambasadores së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Julia Sutherland, u theksua se ky partneritet ka sjellë një ulje të ndjeshme të rasteve të emigrimit të paligjshëm drejt Britanisë.
Në një postim në Facebook, Policia e Shtetit e cilëson këtë bashkëpunim si një model të suksesshëm ndërinstitucional. “Ky është një partneritet i konsoliduar, me rezultate konkrete. Policia e Shtetit mbetet një partner i besueshëm dhe aktiv në garantimin e sigurisë, brenda dhe jashtë vendit”, shkruhet në postim.
Sipas autoriteteve, bashkëpunimi nuk kufizohet vetëm te migracioni, por po zgjerohet edhe në fusha të tjera si policia shkencore, teknologjia e informacionit dhe kontrolli kufitar, me fokus goditjen e trafikut të armëve, pastrimit të parave dhe hyrjes së paligjshme të kapitaleve.
Nga ana e saj, zëvendësambasadorja britanike vlerësoi partneritetin si një shembull konkret të besimit dhe shkëmbimit të ekspertizës mes dy vendeve, duke theksuar se bashkëpunimi do të vijojë të thellohet edhe më tej.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



