Urdhërohet evakuimi për banorët në Fier dhe Durrës
Bashkia e Durrësit ka kërkuar evakuimin e banorëve pas përkeqësimit të ndjeshëm të situatës nga përmbytjet, të shkaktuara nga reshjet e dendura të ditëve të fundit.
Qyteti bregdetar është përballur me vështirësi serioze, ndërsa bilanci është rënduar edhe nga regjistrimi i një viktime. Zonat më problematike mbeten Katundi i Ri, Sukthi, ish-Këneta, si edhe disa pjesë të zonës urbane të Durrësit, ku uji ka depërtuar në banesa dhe rrugë.
Ndërkohë, autoritetet kanë dhënë urdhra evakuimi edhe për banorë në Fier, për shkak të rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
LAJMËRIM ZYRTAR PËR EVAKUIM TË MENJËHERSHËM
Në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar të Emergjencave Civile dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të Bashkisë Fier, konkretisht në Njësinë Administrative Ferras.
Procesi i evakuimit do të realizohet përmes koordinimit të ngushtë me:
-
Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC),
-
Prefektin e Qarkut përkatës,
-
Strukturat e Emergjencave Civile në bashki.
Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin dhe zbatimin e evakuimit në territorin përkatës. Çdo komunikim apo kërkesë për ndihmë duhet t’u drejtohet strukturave publike të angazhuara në terren.
Prioritet absolut në evakuim do të kenë:
-
fëmijët,
-
të moshuarit,
-
personat me aftësi të kufizuara,
-
familjet që ndodhen në zona të izoluara.
Transporti për largimin e banorëve do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH), si edhe Forcat e Armatosura.
STREHIMI DHE ASISTENCA PËR TË EVAKUUARIT
Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të kryhet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e shërbimeve sociale.
Në kuadër të këtij procesi do të garantohet:
-
regjistrimi i të evakuuarve në ambientet e strehimit të përkohshëm,
-
sigurimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore,
-
informimi periodik mbi ecurinë e situatës dhe masat në vijim.
Autoritetet theksojnë se njoftimi ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë dhe të kontaktojnë numrat e emergjencës për çdo situatë të rrezikshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


