E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vasil Çuni, kandidat për kreun e  Gardës së Republikës
Lajme

Vasil Çuni, kandidat për kreun e Gardës së Republikës

 

Pas hapjes zyrtare të garës nga Ministria e Brendshme në muajin dhjetor, janë bërë publikë kandidatët që kanë aplikuar për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Garda e Republikës, një nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë shtetërore.

Sipas burimeve zyrtare, tre emrat e parë që kanë depozituar aplikimin janë eksperti i sigurisë Faik Basha, ish-deputeti i Partisë Socialiste Denis Deliu dhe drejtuesi aktual i komanduar i Gardës, oficeri Simon Zereci. Afati për dorëzimin e aplikimeve u mbyll më 30 dhjetor 2025, ndërsa komisioni i posaçëm i ngritur nga Ministria e Brendshme pritet të përzgjedhë drejtuesin e ri brenda 45 ditëve nga shpallja e garës.

Garda e Republikës drejtohet në mënyrë të komanduar nga Simon Zereci që prej dorëheqjes së ish-drejtorit Ermal Onuzi, më 3 qershor.

Ndërkohë, një tjetër emër karriere  është  kandidat potencial  për këtë post është Vasil Çuni, oficer karriere me një profil të konsoliduar në fushën e sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore dhe institucioneve të rëndësisë së veçantë.

Profil profesional i kandidatit Vasil Çuni

Vasil Çuni ka mbi dy dekada përvojë në strukturat elitare të sigurisë shtetërore, prej të cilave 17 vite në Gardën e Republikës. Gjatë karrierës së tij, ai ka shërbyer në disa pozicione kyçe, duke nisur nga njësia e sigurimit të rrugëkalimit të Presidentit të Republikës, Shef Seksioni në Njësinë Speciale, Shef i Trajnimeve në Drejtorinë për Sigurinë e Personaliteteve dhe më pas Shef i Trajnimeve dhe Stërvitjes në Gardën e Republikës.

I lindur në Shkodër më 3 shtator 1978, në një familje me traditë ushtarake, Çuni është oficer karriere me gradën Major (R). Ai është diplomuar në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, Fakulteti i Forcave Tokësore, në specialitetin Zbulim. Formimi i tij është pasuruar me një sërë trajnimesh kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e sigurisë, forcave speciale dhe menaxhimit të trupave, të ndjekura përgjatë viteve 2003–2020.

Gjatë periudhës 2001–2019, ai ka shërbyer në Gardën e Republikës, duke kontribuar në garantimin e sigurisë së institucioneve më të larta të shtetit dhe personaliteteve shtetërore. Ky angazhim afatgjatë e ka pozicionuar si një profesionist me përvojë të thellë në menaxhimin e situatave komplekse të sigurisë dhe drejtimin e strukturave të specializuara.

Prej vitit 2019, Vasil Çuni ushtron detyrën e Drejtorit të Sigurisë së Personelit në sektorin bankar, ku ka qenë i angazhuar në ndërtimin dhe zbatimin e standardeve moderne të sigurisë institucionale, duke harmonizuar praktikat ndërkombëtare me nevojat e tregut vendas. Ai është gjithashtu i licencuar si “Trainer of Trainers” në fushën e sigurisë fizike dhe të personelit nga Akademia e Sigurisë.

I martuar dhe baba i dy fëmijëve, Çuni flet anglisht dhe italisht dhe njihet nga bashkëpunëtorët për korrektësi, seriozitet dhe aftësi drejtuese. Profili i tij përshkruhet nga kolegët me një fjalë të vetme: profesionist.

Procesi i përzgjedhjes për drejtuesin e ri të Gardës së Republikës pritet të jetë një test i rëndësishëm për standardet e profesionalizmit dhe depolitizimit të një institucioni kyç për sigurinë kombëtare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.