Vdekja e Xhuana Nikollajt, Gjykata e Tiranës lë në burg Eraldo Fizin
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Eraldo Fizin, ish-bashkëshortin e Xhuana Nikollajt, i cili po hetohet për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes dhe për një rast të dyshuar të dhunës fizike.
Fizi u paraqit para gjykatës pas arrestimit të tij, dy ditë më parë, pas një periudhe prej më shumë se gjashtë muajsh në arrati. Ai ishte shpallur në kërkim që në muajin mars të këtij viti.
Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura dhe u drejtua nga gjyqtarja Matilda Fetahu.
Gjatë procesit, Fizi mësohet të ketë deklaruar se ishte vetëdorëzuar dhe se ishte i gatshëm të përballej me drejtësinë për ngjarjen.
“Unë jam vetëdorëzuar, jam i penduar dhe jam gati të përgjigjem para drejtësisë për çfarë kam bërë”, mësohet të jetë shprehur ai gjatë seancës.
Sipas dyshimeve të ngritura nga hetimi, Fizi kishte ushtruar dhunë ndaj ish-partneres së tij, Xhuana Nikollajt. Pas ngjarjes, Nikollaj konsumoi medikamente dhe u dërgua për trajtim mjekësor, por ndërroi jetë në spital.
Pikërisht në lidhje me rrethanat që paraprinë vdekjen e saj, autoritetet kanë ngritur dyshime për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes.
Përveç kësaj vepre penale, Fizi dyshohet edhe për dhunë fizike në një rast tjetër. Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa tashmë ai do të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest në burg”.
Vendimi i gjykatës vjen pas më shumë se gjashtë muajsh kërkime, gjatë të cilave Fizi ishte shpallur person në kërkim nga autoritetet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



