Veliaj në Strasburg, ankimimi për masën e arrestit drejt finalizimit
Avokatët ndërkombëtarë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i janë drejtuar SPAK-ut me kërkesën për të zhvilluar një takim me të në paraburgim më 10 shtator.
Sipas kërkesës së mbrojtjes, takimi lidhet me përgatitjen e hapave të mëtejshëm ligjorë për çështjen e arrestit. Avokatët pritet t’i kërkojnë Veliajt të firmosë apelin që do t’i dërgohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Ky do të ishte takimi i dytë i Veliajt me avokatët britanikë të studios ndërkombëtare Mishcon de Reya. Takimi i parë u zhvillua më 28 korrik, kur kryebashkiaku i Tiranës qëndroi për rreth pesë orë me dy përfaqësuesit e tij ligjorë, Ben Brandon dhe Celia Marr.
Kërkesa për takimin e 10 shtatorit vjen në një moment kur beteja ligjore e Veliajt për masën e sigurisë dhe afatet e paraburgimit vijon në disa nivele të sistemit gjyqësor shqiptar.
Apeli rrëzoi kërkesën për afatet e paraburgimit
Më 2 shtator, Gjykata e Posaçme e Apelit nuk pranoi ankimin e Erion Veliajt kundër vendimit të GJKKO-së për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Mbrojtja e kryebashkiakut ka kundërshtuar arsyetimin se shtyrja e seancave mund të lidhet me përgjegjësinë e Veliajt. Sipas argumentimit të avokatëve, në njërin prej rasteve seanca nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së avokatit Maksim Haxhia, i cili mbron Ajola Xoxën, ndërsa në një rast tjetër shkak është bërë mungesa e mbrojtësit ligjor të një prej të pandehurve të tjerë.
Pas vendimit të Apelit të Posaçëm, mbrojtja ka paralajmëruar se do t’i drejtohet me rekurs Gjykatës së Lartë.
Veliaj prej shkurtit 2025 në paraburgim
Erion Veliaj vijon të qëndrojë i izoluar në burgun e Durrësit, ku ndodhet prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të SPAK-ut.
Ndërkohë, mbrojtja po ndjek paralelisht rrugën ligjore në Shqipëri dhe atë ndërkombëtare. Takimi i planifikuar me avokatët britanikë më 10 shtator pritet të shërbejë edhe për finalizimin e dokumentacionit që lidhet me ankimin në Strasburg për çështjen e arrestit.
Hapi i radhës do të jetë depozitimi i apelit pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi të jetë përfunduar dhe firmosur nga Veliaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



