Bashkia e Tiranës, nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, ka ndërmarrë një tjetër projekt kontrovers, këtë herë për ndërhyrje në godinën historike të “Sarajeve të Toptanasve”, e njohur edhe si Muzeu Etnografik i Tiranës. Projekti për “Restaurimin dhe Muzealizimin” e kësaj godine ka ngjallur dyshime të forta për procedura të parregullta dhe mungesë transparence.
Tenderi pa garë dhe afatet e dyshimta
Veliaj ka firmosur një kontratë prej 65 milionë lekësh vetëm për studimin dhe projektimin, me një proces tenderimi që u zhvillua në kushte të pazakonta. Afati për dorëzimin e ofertave ishte vetëm 10 ditë, një kohë minimaliste që praktikisht eliminoi çdo mundësi për konkurrencë. Kështu, i vetmi aplikant ishte bashkimi i operatorëve “ARCHISPACE” shpk dhe “Elena Casanova Garcia”, të cilët duket se e kishin projektin të gatshëm, duke ngritur dyshime për favorizim të hapur.
Edhe pse tenderi u zhvillua më 11 nëntor, kontrata me fituesin u bë publike një muaj më pas, më 12 dhjetor, çka shton paqartësitë mbi mënyrën se si u përzgjodhën fituesit dhe u menaxhua ky proces.
Në dokument theksohet se në godinë janë bërë miks ndërhyrjesh, që kanë prishur pamjen bazë të godinës.
Shkelje flagrante në dokumentacion
Sipas investigimit, kompania italiane e përfshirë në projekt rezulton të mos ketë licencë në Shqipëri, pavarësisht se kjo ishte një kërkesë e qartë në termat e referencës së tenderit. Ky detaj është anashkaluar nga Bashkia e Tiranës, duke shtuar shkeljet ligjore dhe duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e këtij prokurimi.
Zhvillimi i tenderit pa garë nuk i ka shpëtuar syrit të Open Data Albania e cila menjëherë kë ngritur Flamurin e Kuq.
Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore
Godina historike e Sarajeve, një simbol i trashëgimisë arkitekturore të Tiranës, është dëmtuar rëndë nga ndërhyrjet e mëparshme. Dokumentet e tenderit theksojnë se ndryshimet e bëra ndër vite, si eliminimi dhe shtimi i mureve ndarëse, kanë degraduar skemën origjinale të ndërtesës. Gjithashtu, dëmtime serioze janë raportuar në fasadat, strukturat mbajtëse dhe elementet dekorative, duke rrezikuar identitetin historik të godinës.
Veliaj, megjithëse pretendon se ky projekt ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e kësaj godine, ka dhënë leje për ndërhyrje që kanë deformuar strukturën e saj origjinale, duke e kthyer në një objekt eksperimentesh të pasuksesshme urbanistike.
Afera me historinë
Veliaj vazhdon të trajtojë monumentet historike si projekte fitimi, duke dëshmuar një mani për të transformuar çdo pasuri kulturore në beton dhe përfitime financiare. Pas shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërhyrjeve të tjera të debatueshme, “Sarajet e Toptanasve” duket se janë viktima e radhës.
Në vend që të mbrohet dhe restaurohet në mënyrë të denjë, godina po shkatërrohet nga ndërhyrje të dyshimta dhe tenderë pa garë, që pasurojnë një grusht të privilegjuarish në kurriz të historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore.