Veliaj ‘sfidon’ hapur Ramën: Jam Kryetar i Bashkisë së Tiranës!
Kryebashkiaku i shkarkuar i Tiranës, Erion Veliaj, mbajti fjalën e tij në Gjykatën Kushtetuese, duke premtuar se do të vijojë betejën për drejtësi dhe për të mbrojtur atë që e quajti kontratën me qytetarët e kryeqytetit, të cilët e kanë zgjedhur tri herë radhazi.
Në fjalën e tij, Veliaj i bëri apel trupës gjyqësore për të mbrojtur demokracinë, e cila sipas tij po vihet në provë:
“Më kanë izoluar në një qeli me vrasës serialë. Kam përjetuar një periudhë të gjatë me shkelje të të drejtave. Ky është një përçmim ndaj votës. Ky është një përçmim që populli i jep republikës për ta drejtuar në emër të tij. Jam këtu si kryetar i bashkisë së Tiranës me të drejtën që ma kanë dhënë 165 mijë qytetarë. Nuk kam kryer asnjë shkelje. Jam këtu për të kërkuar mbrojtjen e demokracisë që sot po vihet në sprovë.”
Veliaj theksoi se mandati i tij nuk është thjesht një post, por një kontratë besëlidhje me qytetarët:
“Jemi betuar që ta mbrojmë demokracinë. Ky nuk është mandati im, por një kontratë besëlidhje dhe do bëj gjithçka që ligji më lejon për ta mbrojtur këtë kontratë. Askush nuk mund ta ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri. Me respekt, pyes çfarë shkelje të rëndë kam kryer unë?”
Ai e përshkroi arrestimin e tij si një rrëmbim, duke e krahasuar me trajtimin e një vrasësi serial dhe jo të një kryetari bashkie, duke nxjerrë në pah sipas tij shkeljet ndaj të drejtave të tij gjatë periudhës së paraburgimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



