Kryebashkiaku i pezulluar i Tiranës, Erion Veliaj, duket se ishte përpjekur të ushtrojë ndikim mbi institucionet e drejtësisë edhe nga qelia e paraburgimit në Durrës. Në materialet e siguruara nga CNA , del në pah se Veliaj është përfshirë në përpjekje për të ndikuar mbi Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), duke përdorur rrjetin e tij politik dhe familjar.
Në biseda të përgjuara, Veliaj shfaqet i shqetësuar për deklaratën publike të KLP-së, e cila mbrojti veprimet e Prokurorisë së Posaçme dhe të prokurorit Ols Dado, në një kohë kur ky i fundit është shënjestruar prej kohësh nga Veliaj dhe Kryeministri Edi Rama.
Sipas përgjimeve, Veliaj e konsideron “anormale” reagimin e KLP-së dhe i kërkon vëllait të tij, Arbër Veliaj, që të angazhojë deputetë “miq” për të ndërhyrë dhe për ta “zgjidhur” këtë çështje. Në një nga komunikimet, Veliaj thotë se “shumica e anëtarëve të KLP-së janë votuar nga Parlamenti”, duke lënë të kuptohet se pret nga ata një sjellje në linjë me interesat e mazhorancës.
“Fakti që reagojnë për këtë çështje, e jo për rastin e Saliut, është i pakuptueshëm”, i thotë Veliaj vëllait të tij, duke shfaqur hapur qëndrimin se institucionet e drejtësisë duhet të jenë të njëanshme dhe të heshtin për rastet që nuk i përshtaten linjës së tij politike.
Në një tjetër moment, Veliaj i kërkon Arbrit të shkojë herët në takim “për t’i dhënë pusullën”, çka mund të jetë një formë komunikimi për direktiva të mëtejshme. Gjithashtu, ai ka publikuar një kërkesë zyrtare drejtuar KLP-së për të konstatuar përfundimin e mandatit të prokurorit Ols Dado, duke e parë këtë si një mënyrë për ta larguar atë nga dosja hetimore.
Kjo qasje, ku kërkohet ndërhyrje në organet e drejtësisë përmes deputetëve dhe lidhjeve personale, ngre alarmin për përpjekje të rrezikshme për të kapur institucionet e pavarura.
Reagimi i KLP-së ka qenë i qartë: dënon çdo përpjekje për presion mbi prokurorët dhe thekson se akuzat ndaj tyre duhet të trajtohen vetëm përmes kanaleve ligjore dhe institucionale.
Në deklaratën e saj zyrtare, KLP nënvizon se sulmet publike nga persona të përfshirë në hetime, si dhe retorika politike, cënojnë jo vetëm integritetin e prokurorëve, por edhe besimin e publikut tek drejtësia. Këshilli konfirmon mbështetjen për prokurorin Ols Dado dhe të gjithë anëtarët e Prokurorisë së Posaçme, duke bërë thirrje për maturi dhe respekt të institucioneve të pavarura.
Ky rast është një tjetër dëshmi e përpjekjeve për të manipuluar drejtësinë për interesa personale dhe politike, një fenomen i rrezikshëm që duhet ndalur me forcën e ligjit.
Erion Veliaj kërkon të shmangë kontaktet e bashkëshortes me Konsullatën Amerikane, duke pritur ndërhyrjen e Alex Soros
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar për akuza të korrupsionit dhe pastrimit të parave, duket se ka ndërhyrë për të shmangur kontaktet e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, me Konsullatën Amerikane në Tiranë. Sipas materialeve të siguruara, në datën 18 shkurt 2025, Ajola Xoxa u kontaktua nga Konsullata Amerikane me kërkesën për t’u paraqitur më 19 shkurt. Ajo informoi konsullatën se, për arsye shëndetësore, nuk mund të paraqitej në atë datë, dhe u la që të diskutohej për një datë tjetër.
Në një bisedë të përgjuar më 19 shkurt 2025, Veliaj i shpreh Xoxës se nuk ka arsye për të shkuar dhe për t’u dhënë llogari institucioneve të një shteti tjetër, duke e konsideruar administratë tjetër. Ai përmend gjithashtu se, me ardhjen e “Aleksit”, çështjet do të rregullohen dhe nuk do të ketë nevojë për të dhënë llogari. Edhe pse mbiemri i “Aleksit” nuk përmendet në bisedë, dyshohet se bëhet fjalë për Alex Soros, mik i ngushtë i Veliajt, të cilin ai e ka cilësuar shpesh si vëlla dhe mik të tij të ngushtë.
Kjo sjellje ngre pikëpyetje mbi arsyet e shmangies së kontakteve me Konsullatën Amerikane dhe pritshmëritë për ndërhyrjen e Alex Soros në këtë situatë. Ndërkohë, Veliaj dhe Xoxa po përballen me akuza serioze për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa hetimet ndaj tyre vazhdojnë.