Vendimi i gjyqtares së GJKKO Elsa Ulliri rrëzon të gjithë çështjen e sajuar ‘Beleri’

 Ylli Manjani/

Vendimi i gjyqtares së GJKKO Elsa Ulliri praktikisht rrëzon të gjithë çështjen e sajuar “Beleri”. Për kohën ku jetojmë është një vendim kurajoz, por gjithsesi i drejtë.

Gjyqtarja ka zbërthyer në thelb dyshimet se Fredi Beleri po gjykohet (në fakt u gjykua) me prova të stisura e të manipuluara. Ajo ka urdhlruar Prokurorinë e Posaçme (SPAK) të sqarojë origjinën e manipulimit të atyre provave që po përdoreshin (në fakt u përdorën).

E ka urdhëruar këtë gjë që në PRILL 2024. Por urdhëri i gjyqtares nuk u zbatua. U fsheh madje. Ai iu bë me dije Fredi Belerit vetëm pasi Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin e Tij me prova të manipuluara.

Kjo ngjarje, është më e rënda e ndodhur deri më sot. SPAK nuk zbaton vendimin e gjykatës dhe shtyn një proçes dënimi me prova të stisura. Kjo është njollë e zezë sterr mbi drejtësinë e sotme.

Kjo është prova fatale se sa keq dhe shumë keq hetohet sot dhe se ka gjykatës që thjesht noterojnë pretendinet e prokurorisë, pa e çarë kokën fare se çfarë ka dosja hetimore! (Lavdi zotit ka edhe gjykatës kurajozë ende.)

Në këtë batak është edhe Gjykata e Lartë e cila rrefuzon të bëjë detyrën kushtetuese të gjykojë e disiplinojë standatet e hetimit e gjykimit dhe, është bërë vula apostille e gjyqtarëve -noterë të prokurorisë e cila nuk përton të ngrejë akuza me prova të sajuara.

Kjo është drejtësia popullore e kohës në fakt. Beleri është “armiku popullor i kombit”. Po ashtu “armiq të tjerë popullor të politikës”, janë në radhë për t’u gjykuar e dënuar njësoj.

Nëse për arsye mllefi u pëlqen denimi i manipuluar ndaj “armikut”, bëhuni gati të pranoni dënimin tuaj. Dhe u lutem rrini squk kur t’u dënojnë e dhunojnë me të njëjtën mënyrë siç ja bënë “hasmit” tuaj.

Kështu ka ndodhur gjithmonë. Është ligjësi e çdo autokracie.

***

Miq,

E kam shumë kollaj të hesht siç bën shumica në fakt. Të bëj dhe unë “burrin e mirë patriot” e kam edhe më të thjeshtë. Ashtu urtë e butë mbaroj dhe noi punë timen siç, bëjnë të tërë në fakt.

Por ajo që i kanë bërë Fredi Belerit nuk i urohet as hasmit.

Dhe mbi të gjitha standarti i gjykimit me sajesa e manipulime është më i poshtri i mundshëm.

Gjyqtarja Elsa Ulliri na ka dhënë në fakt të rëndësishëm që provon se çfarë standarti të bolshevik ka sot drejtësia penale.

Fredi Beleri është i dënuar politik, që çke me të!

————

P.S. komentet me natyrë patridiotike si dhe helmin apo mllefin që keni me Fredi Belerin hidhini ku të doni por jo këtu!

Fredi Beleri mund të jetë hidraulik dhe, si i tillë mund të dijë të lidhë dy tuba, por përpiquni të lidhni dy fjalë o njerëz që të kenë kuptim.

Boll me shkumë idiote.

Publikuar nga Publik Media