VIDEO/ Erion Veliaj mbërrin në Kushtetuese me pranga në duar
Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka mbërritur këtë mëngjes në Gjykatën Kushtetuese, ku do të zhvillohet seanca publike për shqyrtimin e ankimit të tij kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra.
Veliaj u transportua nga paraburgimi i Durrësit me një furgon policie dhe hyri në ambientet e gjykatës me pranga në duar, nën masa të rrepta sigurie dhe praninë e forcave të shumta policore.
Seanca nis në orën 10:00 dhe ka si relatore gjyqtaren Sonila Bejtja. Gjykata kishte njoftuar më herët se Veliaj do të ishte i pranishëm në sallë, pasi ai kishte kërkuar personalisht të dëgjohej. Drejtoria e Burgjeve dhe SPAK-u morën masat e nevojshme për transportin dhe sigurinë e tij gjatë zhvillimit të seancës.
Në qendër të shqyrtimit është vendimi i qeverisë për shkarkimin e Veliajt, i marrë më 25 shtator bazuar në nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, me argumentin se ai nuk ishte paraqitur në detyrë për tre muaj. Veliaj kundërshton vendimin, duke pretenduar se bie ndesh me Kushtetutën dhe të drejtën për të ushtruar mandatin e zgjedhur, ndërsa qeveria argumenton se çështja nuk hyn në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



