Një konflikt mes dy personave ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit në një lokal pranë Liqenit Artificial të Tiranës.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja dyshohet të ketë nisur pas një konflikti mes dy personave brenda ambientit të “Zgarës 2”, ku njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Paniku është përhapur mes klientëve dhe kalimtarëve që ndodheshin në zonë në momentin e incidentit.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë dhe një autoambulancë. Zona u rrethua nga policia dhe po kryhen kontrolle intensive për kapjen e autorit të dyshuar, i cili është larguar menjëherë pas të shtënave.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë.
Ky është një tjetër episod i rrezikshëm që shton shqetësimet mbi sigurinë publike në Tiranë, veçanërisht në zona të frekuentuara nga qytetarët dhe familjet, siç është hapësira përreth Liqenit Artificial.