E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
VIDEO/ PS humbet shumicën në Kuvend, i shpëton Tom Doshi
Lajme

VIDEO/ PS humbet shumicën në Kuvend, i shpëton Tom Doshi

Mazhoranca socialiste nuk arriti të sigurojë numrin minimal prej 71 votash në seancën e sotme parlamentare, duke hasur vështirësi në miratimin e projektvendimeve të parashikuara në rendin e ditës.

Pavarësisht se Partia Socialiste disponon 84 mandate në Kuvend, gjatë votimit për një nga projektligjet në shqyrtim u regjistruan vetëm 67 vota pro nga radhët e saj. Situata u bë e dukshme në momentin kur u hodh për miratim projektligji për strukturën, organikën dhe klasifikimin e pagave të punonjësve me kohë të pjesshme të angazhuar në përpunimin e materialeve zgjedhore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Më herët, deputetët e opozitës kishin kërkuar tërheqjen nga rendi i ditës të disa nismave të tyre ligjore, ndërsa diskutimet vijuan me pikat e tjera të planifikuara. Por në momentin e votimit, rezultati tregoi se mazhoranca nuk kishte votat e nevojshme për ta miratuar projektligjin.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërhyri menjëherë duke ndërprerë procedurën e votimit, duke argumentuar se ishte bërë një gabim procedural. Sipas tij, projektvendimet duhet të votoheshin vetëm pasi të përfundonte diskutimi për të gjitha projektligjet në rendin e ditës.

Ai sqaroi se kishte paqartësi lidhur me numrin e nismave të tërhequra nga opozita dhe se një projektligj për ndryshime në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nuk ishte tërhequr, ndaj duhej korrigjuar procedura.

Ndërprerja e votimit shkaktoi reagime të menjëhershme nga opozita. Deputetë të Partisë së Lirisë dhe deputeti Agron Shehaj akuzuan drejtuesit e seancës për ndërhyrje në proces për shkak të mungesës së votave nga mazhoranca. Ata kërkuan sqarime nëse votimi ishte ndërprerë pikërisht për këtë arsye.

Peleshi mohoi një lidhje të tillë, duke theksuar se në sallë ndodheshin më shumë se 70 deputetë dhe se ndërprerja ishte pasojë e një gabimi procedural, jo e mungesës së votave.

Pas debateve, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kërkoi pushim disa minutash për të sqaruar situatën lidhur me nismat e opozitës dhe rendin e votimit.

Deputetët dhe ministrat që munguan

Sipas të dhënave të bëra publike gjatë seancës, në momentin e votimit mungonin një sërë deputetësh dhe ministrash nga radhët e mazhorancës, mes tyre:

Pirro Vengu, Albana Koçiu, Belinda Balluku, Edi Rama, Toni Gogu, Elisa Spiropali, Ervin Demo, Majlinda Dhuka, Adea Pirdeni, Blendi Gonxhja, Damian Gjiknuri, Erjona Ismaili, Fatmir Xhafaj, Hatixhe Konomi, Ornaldo Rakipi, Eduard Shalsi, Tedi Mula dhe Saimir Hasalla.

Gjatë pushimit të kërkuar nga mazhoranca, disa prej deputetëve që mungonin u thirrën në sallë, duke bërë që PS të sigurojë më pas 72 vota. Numri i nevojshëm u arrit falë edhe mbështetjes së deputetëve të Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.