Video/ Rama dhe Linda fluturuan me avionin luksoz 35 mijë €

VIDEO E AVIONIT LUKZOZ 

Pamjet e Edi Ramës që zbret nga një avion “TC EMR” në aeroportin Schiphol në Hagë dëshmojnë për një udhëtim luksi me një model Gulfstream G IVSP VIP, ku çdo orë paguhet në shifra të konsiderueshme parash për ekonominë e një familjeje të zakonshme në Shqipëri.

Qiraja e këtij avioni – që varion prej 6,500 dollarë deri në 7,500 dollarë për një orë – përfshin gjithçka të nevojshmë: ekuipazhin, karburantin, catering VIP dhe ndonjë shërbim ekstra si de-icing ose transfer privat.

Duke e zgjeruar pagesën për fluturimin e plotë, kosto arrin disa dhjetëra mijëra dollarë vetëm për një udhëtim nga Tirana në Hagë dhe anasjelltas. Duhet kuptuar se “TC EMR” konsiderohet një markë e konfirmuar në fluturimet e luksit në aeroportet ndërkombëtare.

Edhe më parë, kryeministri ka udhëtuar me avionë privatë në vizitat zyrtare, por rasti i udhëtimit drejt Hagës është një përjashtim, që shenjon ndarjen e Ramës nga shërbimet e kompanisë Air Albania.

Duhet thënë se TC-EMR nuk është në pronësi të qeverisë shqiptare. Ai është operuar nga Zafer Air, një kompani me bazë në Stamboll, e cila ofron këtë avion për përdorim charter.

Nuk dihet nëse ka përfunduar kontrata e Ramës me Air Albania, por ngulmimi i kryeministrit për të përdorur një avion privat bie ndesh me përpjekjet e tij për t’u shfaqur si një politikan që bën një jetë modeste. Rama përgjithësisht lëvdon jetën e thjeshtë, mohon ngasjen ndaj luksin dhe privilegjet e pushtetit, për t’u shfaqur si një njeri që mjaftohet me orët e gjata në studion e tij artistike, mes pikturave dhe poçeve të baltës.

Pak javë më parë, kur fluturoi në një udhëtim drejt Londrës mediat pranë qeverisë publikuan faturat e biletave të avionit me të cilin kishte udhëtuar familja Rama. Por përpjekjet e Dosja.al medias që publikoi pamjet, për të bërë transparencë mbi pagesën e fluturimit në Hagë, kanë mbetur pa përgjigje.

Në raste si këto, duken qesharake edhe qëndrimet e kryeministrit, kur ai flet me një lloj përbuzjeje për luksin që i garantojnë pagesat nga buxheti i shtetit.

“Udhëtimet, po të betohem nëse do kisha mundësi t’i këpusja me thikë dhe t’i minimizoja, do t’i minimizoja me qejfin më të madh, se janë udhëtime pune, nuk janë udhëtime qejfi. Më vjen zor dhe habitem, çfarë fluturimi luksi? Të gjitha fluturimet e mia private, me familjen, edhe sot që flasim, edhe gjatë gjithë kohës, i bëj vetëm në economics si të gjithë të tjerët, të gjitha. Fluturimet e punës, me avionin që pata mundësi të kem, janë fluturime pune, janë shkurtim kohe, shkurtim shpenzimesh. Me marrëveshjen që kemi për atë avion, nuk shpenzojmë asnjë lekë më shumë për shtetin, sesa çfarë është shpenzuar në mesatare çdo vit nga kryeministrat.”

Sipas të dhënave të mbledhura nga disa operatorë ndërkombëtarë që japin me qira këtë model avionësh, çmimi për çdo orë fluturimi llogaritet mesatarisht nga 6,500 deri në 7,500 dollarë amerikanë dhe duke marrë për bazë distancën Tiranë–Hagë, rreth 1,800 kilometra në vijë ajrore, një fluturim mesatar zgjat rreth 3 orë e 10 minuta.

Me një llogari të thjeshtë, udhëtimi vetëm vajtje kushton mbi 20,000 dollarë. Nëse udhëtimi është vajtje-ardhje, atëherë fatura kalon bindshëm shifrën e 40 mijë dollarëve – pa përfshirë ndalesat teknike, tarifat e pistës apo ndonjë kapriço protokollare shtesë.

Mbërrijmë kështu tek pyetja politike, që nuk ka nevojë për debat parlamentar: Kush i paguan paratë? Nëse fatura mbulohet nga fondet publike, atëherë publiku ka të drejtë të dijë përse u zgjodh një avion privat me kosto të tillë? Nëse shpenzimi mbulohet nga vetë z. Rama apo nga ndonjë sponsor joformal, atëherë shqetësimet kalojnë në sferën e transparencës dhe konfliktit të interesit. /Lapsi.al

Publikuar nga Publik Media