VIDEO: Spoti denigrues i Edona Bilalit

“Fali, o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!” 

Landi Çela

Kur mbarojnë idetë, fillon tallja. Dhe nuk ka tallje më të trishtë se ajo që paguhet me taksat e qytetarëve. Spoti elektoral i Edona Bilalit, deputetes dhe kandidates së Partisë Socialiste në Shkodër, është një ndër produktet më denigruese të fushatës zgjedhore – jo vetëm për zgjedhësin shkodran, por për çdo njeri me një minimum ndjeshmërie politike e qytetare.

Me një sfond që ngjan më shumë me skenën e një komedie të nivelit të dytë sesa me një mesazh serioz për votuesit, Bilali ka zgjedhur që të përfaqësohet në fushatë me një skeç, të ideuar nga humoristi Besnik Çinari dhe të interpretuar nga një kast aktorësh të njohur. Në vend që të flasë për program, vizion, apo qoftë edhe një premtim të vetëm për Shkodrën – Edona na sjell një teatër absurd, ku vota trajtohet si barcaletë dhe politika si sketch televiziv.

Po kush është Edona Bilali, që sot rikthehet në Shkodër me regjinë e një estrade të vetëfinancuar? Një ministre “start-up-esh” që e nisi si dekor dhe përfundoi si meme. Një emër i katapultuar pa histori politike, pa lidhje me qytetin, pa kredibilitet publik, që tani kthehet në një spot për të na bërë të qeshim… ndërsa vetë kërkon të vazhdojë të qajë shtetin me rrogën e deputetes.

Në fund të videos, mbetet vetëm një mesazh i sinqertë për popullin:

“Fali o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë – për një grusht të qelbur vitash!”

Bilali ka publikuar në rrjetin e saj social Facebook një video skandaloze, ku shfaqet një burrë i moshuar në spital në “gjendje të rëndë”.

Siç e shikoni në video “pacienti” (aktori i njohur Besnik Çinari) pasi merr vesh nga doktori se do votojë më 11 Maj, ai ngrihet dhe i uron mandatin, Edona Bilalit.

Publikuar nga Publik Media