E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Viktima, rrëmbime, policë e “duar” të huaja: Pretendimet që po shoqërojnë protestat
Lajme

Viktima, rrëmbime, policë e “duar” të huaja: Pretendimet që po shoqërojnë protestat

Pretendime për protestues të vdekur, policë serbë që ndërhyjnë në protesta, vajza të rrëmbyera dhe avionë të shumtë që mbërrijnë nga Izraeli janë disa nga informacionet e pavërteta ose të pakonfirmuara që kanë qarkulluar gjatë protestave të fundit kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama në Shqipëri.

Një pjesë e tyre janë përgënjeshtruar nga institucionet dhe organizatat për kontrollimin e fakteve, ndërsa të tjera mbeten të paverifikuara.

Nevila Gjata, kryeredaktore e platformës për kontrollimin e fakteve në Shqipëri, Faktoje.al, thotë për Radion Evropa e Lirë se dezinformimi që po shoqëron protestat e tanishme dallon nga ai i protestave të mëhershme të lëvizjes “Flamingo”: nga narrativat gjeopolitike dhe ideologjike, fokusi është zhvendosur te ngjarjet konkrete, si dhuna, viktimat e pretenduara dhe siguria e protestuesve.

Sipas saj, kanë ndryshuar edhe mënyrat e shpërndarjes së këtyre pretendimeve dhe audienca që ato arrijnë.

Nga viktimat e pretenduara te policët serbë: Narrativat kryesore

Gjatë protestave të 13-16 tetorit, sipas Faktoje.al, në rrjetet sociale u përhapën pretendime për protestues të intubuar nga dhuna policore, të rinj në koma dhe viktima, përfshirë një të ri nga Tetova.

Sipas Gjatës, as mjekët e Spitalit të Traumës, as Ministria e Shëndetësisë dhe as verifikimet në terren të Faktoje.al nuk i konfirmuan këto pretendime.

Në rrjetet sociale dhe platforma komunikimi qarkulluan gjithashtu pretendime për rrëmbimin e tri vajzave nga burra të panjohur në Qytetin Studenti dhe të një vajze tjetër nga persona me rroba civile.

Pretendimet për tri vajzat u përgënjeshtruan nga Faktoje.al pas verifikimeve me administratën, dëshmitë dhe kontakti i drejtpërdrejtë i gazetareve të Faktojes me studentet rezidente, ndërsa policia kundërshtoi pretendimin për vajzën që dyshohej se ishte futur në një furgon.

Oficerë të Policisë shqiptare duke u ballafaquar me protestues në Tiranë, më 18 tetor.
Oficerë të Policisë shqiptare duke u ballafaquar me protestues në Tiranë, më 18 tetor.

Sipas Gjatës, këto narrativa nuk kishin domosdoshmërisht të njëjtin qëllim dhe as nuk përhapeshin për të njëjtat arsye.

“Këto narrativa në fakt nuk shërbenin për të njëjtin qëllim. Disa i besonin, disa për klikime me qëllime përfitimi, të tjerë synonin rritjen e tensionit duke u mbështetur te frika dhe zemërimi, të tjerë ia atribuonin dhunën PS-së duke qenë partia në pushtet”, thotë ajo për REL.

Megjithatë, Gjata thotë se pretendimet e pavërteta rreth dhunës ndaj protestuesve janë përhapur në një kohë kur janë dokumentuar edhe raste reale të saj.

“Një pjesë po aq e rëndësishme është fakti se dhuna policore ndaj të rinjve në jo pak raste është brutale dhe tepër shqetësuese. Videot dokumentojnë episode serioze të ndërhyrjes së policisë që kërkojnë masa konkrete”, thotë ajo për REL duke shtuar se kjo bën që në disa raste narrativat për rritjen e frikës, tensionit apo zemërimit të ushqehen mbi një bazë të vërtetë.

Për shpërndarjen e protestuesve, gjatë gjashtë ditëve të protestës, policia përdori gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome, përdorimin e të cilëve e konfirmoi edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita. Policia e Shtetit në Shqipëri kishte pezulluar shtatë efektivë, ndaj të cilëve kishin nisur hetime disiplinore për dyshime për përdorim të tepruar të forcës gjatë protestave kundër Qeverisë Rama.

Avokati i Popullit, Endri Shabani, nisi hetim administrativ për të vlerësuar nëse përdorimi i forcës nga policia ishte i domosdoshëm dhe proporcional. Më 16 tetor, ai njoftoi se institucioni kishte kontaktuar 214 persona të privuar nga liria dhe kishte evidentuar ankesa për dhunë policore, mungesë të kujdesit mjekësor dhe shkelje të të drejtave të të miturve. Shabani dënoi si dhunën ndaj policëve, ashtu edhe atë ndaj protestuesve.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë pesë ditëve të para të protestave, nga 13 deri më 17 tetor, 272 persona kërkuan ndihmë mjekësore, mes tyre 169 punonjës policie, 82 protestues dhe 21 kalimtarë.

Një polic i plagosur shihet i shtrirë në tokë gjatë protestës antiqeveritare të 18 tetorit në Tiranë.
Një polic i plagosur shihet i shtrirë në tokë gjatë protestës antiqeveritare të 18 tetorit në Tiranë.

Një tjetër narrativë lidhej me përfshirjen e forcave të huaja në protesta. Në rrjetet sociale dhe platformat e komunikimit qarkulluan mesazhe dhe fotografi që pretendonin se Qeveria shqiptare kishte angazhuar policë serbë dhe gjermanë për të ndërhyrë kundër protestuesve.

Një fotografi e përdorur si dëshmi për praninë e tyre rezultoi e gjeneruar me inteligjencë artificiale sipas verifikimit të Faktoje.al, ndërsa Policia e Shtetit mohoi angazhimin e efektivëve të huaj.

Pretendime për përfshirje të të huajve u përhapën edhe përmes publikimeve për ardhjen e një numri të madh avionësh nga Izraeli. Postimet ngrinin dyshime se fluturimet po fshiheshin nga tabelat e aeroportit apo se avionët po fiknin sistemet e gjurmimit, duke i lidhur ato me protestat. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës i përgënjeshtroi këto pretendime, duke sqaruar se nuk kishte pasur fluturime shtesë nga Tel Avivi dhe se operimet po vazhdonin sipas orarit.

Nga “Flamingo” te protestat e sotme: Si ka ndryshuar dezinformimi?

Sipas Gjatës, gjatë protestave të lëvizjes “Flamingo” mbizotëronin narrativat gjeopolitike dhe ideologjike. Sipas saj, protesta paraqitej si rezultat i ndërhyrjeve të huaja, përfshirë pretendimet për “luftë hibride” dhe përfshirjen e Greqisë apo Iranit; si komplot financimi nga George Soros dhe donatorët e organizatave mjedisore PPNEA dhe EcoAlbania; si çështje antisemite, përmes pretendimeve për një enklavë izraelite; apo si ndërhyrje kulturore, duke e lidhur simbolin e flamingos me komunitetin LGBT.

“Në protestat ‘Flamingo’ narrativat ushqeheshin kryesisht nga lart”, thotë Gjata për REL, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama, emisioneve televizive, analistëve, deputetëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, si dhe mediave serbe e rajonale.

Sipas saj, narrativa për përfshirjen e “armiqve të huaj”, e përsëritur nga Rama dhe e përforcuar nga deputetë të Partisë Socialiste dhe disa analistë, u bë aq e pranishme sa nisi të trajtohej si diçka normale në hapësirën publike.

Megjithatë, pretendimet për ndërhyrje të huaja janë shfaqur edhe gjatë protestave të fundit.

Më 18 tetor, Rama deklaroi se ishte neutralizuar një dron me eksploziv që, sipas tij, synonte të godiste Kryeministrinë. Ai fajësoi “duart e huaja” për trazirat, duke përmendur Iranin dhe Rusinë, por pa paraqitur publikisht dëshmi të verifikueshme për përfshirjen e këtyre shteteve në organizimin e protestave.

Një protestues duke u ballafaquar me një njësit policor gjatë protestës së 17 tetorit në Tiranë.
Një protestues duke u ballafaquar me një njësit policor gjatë protestës së 17 tetorit në Tiranë.

“Ne kemi shumë të dhëna, do vazhdojmë ta pasurojmë atë që kemi nisur qysh në krye të herës me interferencën në rrjetet sociale të atyre ‘duarve të huaja’, ku natyrisht një dorë tjetër është republika Khomeiniste e Iranit, kulmi i dezinformimit”.

Dy ditë më herët, Policia e Shtetit njoftoi se kishte identifikuar kanale dhe grupe komunikimi në platformat online, përmes të cilave, sipas saj, bëheshin thirrje për akte të dhunshme dhe kërcënime ndaj jetës së punonjësve të policisë. Policia tha se kishte nisur hetime, por nuk i lidhi publikisht këto kanale me ndonjë ndërhyrje të huaj.

Një ditë më vonë, më 19 tetor, Rama deklaroi se të rinjtë që marrin pjesë në protestat e dhunshme janë të ideologjizuar dhe të ekstremizuar nga fryma e lëvizjes Antifa, të cilën presidenti amerikan Donald Trump e ka shpallur organizatë terroriste.

Së fundmi, në rrjetet sociale ka nisur të qarkullojë edhe pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përfshirë në përpjekjet për rrëzimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Pretendimi u lidh me raportimet e disa medieve për arrestimin e dy shtetasve të Kosovës në Tiranë dhe publikimin e një procesverbali policor, sipas të cilit njëri prej tyre kishte deklaruar se ishte simpatizant i Kurtit dhe kishte ardhur për të protestuar kundër Qeverisë Rama, me synimin për ta zëvendësuar atë me një qeveri që mbështet politikat e Lëvizjes Vetëvendosje. Faktoje.al, nuk ka arritur ta verifikojë këtë pretendim. Radio Evropa e Lirë kontaktoi Zyrën e Kryeministrit të Kosovës për koment, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Në një konferencë për media, kryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV, Albulena Haxhiu, tha se partia e saj nuk ka bërë asnjëherë thirrje për pjesëmarrje apo mbështetje të protestave në Shqipëri.

Haxhiu tha se, ndonëse Vetëvendosje gëzon mbështetje të gjerë qytetare, ajo nuk mund të mbahet përgjegjëse nëse mbështetës të saj vendosin të marrin pjesë në protestat në Shqipëri.

"Të fortët" e Ballkanit: Pse nuk lëkunden lehtë?

Ndryshe nga protestat e “Flamingos”, pretendimet më të rënda tani po përhapen kryesisht përmes Instagramit dhe WhatsApp-it.

“Tani pretendimet më të rënda qarkullojnë kryesisht në Instagram dhe WhatsApp, nga faqe dhe grupe të lidhura me protestën, që në disa raste i marrin edhe televizionet”, thotë Gjata për REL.

Dallim ka edhe në audiencë, sipas Gjatës. Sipas saj, narrativat e “Flamingos” kishin shtrirje të dokumentuar edhe në Serbi, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Kroaci, ndërsa për protestat e tanishme Faktoje.al nuk ka të dhëna për një dimension të tillë rajonal. Vëmendja, sipas Gjatës, është kryesisht te publiku vendas, veçanërisht prindërit, gjimnazistët, studentët dhe pedagogët.

Përdorimi i inteligjencës artificiale, megjithatë, mbetet element i përbashkët: nga imazhet e autobusëve grekë që pretendohej se po vinin në Shqipëri gjatë protestave të “Flamingos”, te fotografitë e manipuluara të Bashkisë së Tiranës dhe policëve të huaj gjatë protestave të fundit.

Një protestuese duke hedhur një gur gjatë protestës së 17 tetorit në Tiranë.
Një protestuese duke hedhur një gur gjatë protestës së 17 tetorit në Tiranë.

Për Gjatën, dallon edhe mënyra se si këto narrativa e orientojnë debatin publik.

“Në rastin e protestave ‘Flamingo’, ‘bombardimi’ me narrativa synonte të zhvendoste debatin nga mjedisi dhe të drejtat e qytetarëve drejt ‘armiqve të jashtëm’”, thotë ajo.

Në protestat e tanishme, sipas saj, ka përpjekje për diskreditim nga të dyja palët, ndërsa mbizotërojnë pretendimet që nxisin frikë dhe pasiguri. Ndonëse disa nga përmbajtjet e përgënjeshtruara kanë marrë mijëra pëlqime në rrjetet sociale, çka sipas Gjatës tregon shtrirjen e tyre të gjerë, ende nuk ka të dhëna për të matur ndikimin në opinionin publik.

Pavarësisht përhapjes së pretendimeve të pambështetura, Faktoje.al nuk ka identifikuar deri tani dëshmi për një rrjet të koordinuar që qëndron pas tyre.

“Ne kemi identifikuar burime që përhapën pretendime të pambështetura, por nuk ka prova për një koordinim apo për një autor të vetëm”, thotë Gjata./REL

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.