“Virgjëresha e korrupsionit” tender 75 mln lekë për zyrat e QSUT
Një tender me vlerë mbi 75 milionë lekë pa TVSH për mobilimin e ambienteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është përfshirë nga akuza të forta për klientelizëm dhe mungesë gare reale.
Në qendër të debatit është përzgjedhja e fituesit nga Operatorit i Blerjeve të Përqendruara, i drejtuar nga Arlinda Pogaj, ku sipas pretendimeve, kontrata është dhënë në formë “qoke” përmes ndërhyrjeve në favor të një operatori të caktuar, në funksion të drejtimit të QSUT nga Anxhela Paparizo.
Fitues i tenderit është shpallur operatori ekonomik “ERZENI/SH”, kompani e lidhur me biznesmenët Erzen dhe Artor Lesha, të cilët zotërojnë gjithashtu shoqërinë koncesionare “Tirana 4” për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e shkollave publike në kryeqytet, në bashkëpunim me emra të njohur të biznesit si Shkëlqim Fusha dhe Xhavit Ismaili.

Dokumentet zyrtare të tenderit tregojnë se nga 12 kompani pjesëmarrëse, plot 11 janë skualifikuar, duke lënë në garë vetëm fituesin. Mes operatorëve të përjashtuar ka pasur edhe kompani me oferta më të ulëta ekonomike, çka ka shtuar dyshimet se kriteret teknike janë përdorur për të eliminuar konkurrencën dhe për të orientuar rezultatin.
Sipas kritikëve, një situatë e tillë e kthen procesin në një formalitet, ku fituesi është i paracaktuar dhe gara shërben vetëm për të justifikuar procedurën ligjore.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar të detajuar nga institucionet përgjegjëse mbi akuzat për shkelje dhe mënyrën e vlerësimit të ofertave.
Ky rast pritet të ngjallë debat të fortë mbi transparencën dhe menaxhimin e fondeve publike në sektorin shëndetësor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



