Vodhën 2.5 mln lekë dhe bizhuteri, kapen 3 ‘skifterët’ në Tiranë
Policia e Tiranës ka përmbyllur operacionin e koduar “Last Scheme”, duke zbardhur një grabitje të ndodhur rreth 10 ditë më parë në një banesë në zonën e Sharrës. Autorët dyshohet se kanë marrë 2.5 milionë lekë dhe bizhuteri me vlerë rreth 500 mijë lekë.
Hetimi është zhvilluar nga specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Prokurorinë, dhe ka çuar në identifikimin e katër personave që dyshohet se kanë bashkëpunuar për kryerjen e vjedhjes.
Tre prej tyre janë arrestuar, ndërsa personi i katërt është shpallur në kërkim.
Në pranga kanë përfunduar L. S., 26 vjeç, K. T., 23 vjeç dhe M. H., 37 vjeç. Ndërkohë, A. B. vijon të jetë në kërkim nga policia.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në një servis automjetesh në zonën e Astirit, në bashkëpronësi të A. B. dhe M. H., efektivët kanë zbuluar dhe sekuestruar një armë zjarri, tre krehra me gjithsej 82 fishekë luftarakë, dy automjete, një motomjet dhe dy palë targa automjetesh.
Kontrolli ka vijuar edhe në banesën e K. T., ku janë gjetur dhe sekuestruar një automjet dhe 55 mijë lekë, të cilat policia dyshon se kanë prejardhje nga aktiviteti kriminal.
Autoritetet vijojnë kërkimet për arrestimin e personit të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të dokumentuar të plotë veprimtarinë e dyshuar kriminale të grupit.
Në përfundim të veprimeve hetimore, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e procedurave ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



