Vodhën mijëra kilogramë kafe, arrestohen dy magazinierë në Tiranë
Përfituan 800 mijë euro
Një skemë e mirëorganizuar abuzimi me detyrën është zbuluar në Tiranë, ku dy magazinierë kanë përfunduar në pranga, ndërsa një shpërndarës po hetohet në gjendje të lirë, pas dyshimeve për vjedhje të vazhdueshme në vendin e punës.
Sipas të dhënave hetimore, ngjarja lidhet me zhdukjen e një sasie të konsiderueshme kafeje nga një subjekt që operon në tregun e prodhimit dhe shpërndarjes së këtij produkti. Dyshohet se gjatë një periudhe trevjeçare janë përvetësuar rreth 40 mijë kilogramë kafe, të cilat më pas janë hedhur në treg në mënyrë të paligjshme, duke gjeneruar fitime që arrijnë në rreth 800 mijë euro.
Në pranga kanë rënë Altin Kenga, 35 vjeç, dhe Vasilika Kazo, 29 vjeçe, të dy me detyrë magazinierë në kompaninë përkatëse. Ndërkohë, ndaj shtetasit me inicialet L. B., 29 vjeç, që ushtronte funksionin e shpërndarësit, ka nisur procedimi penal pa masë sigurie.
Hetimet nisën pas kallëzimit të administratores së subjektit, e cila kishte konstatuar mospërputhje të theksuara në inventar dhe mungesa të konsiderueshme produkti. Pas verifikimeve dhe veprimeve operative, strukturat e krimeve ekonomiko-financiare finalizuan operacionin e koduar “Inventari”.
Autoritetet dyshojnë se tre të përfshirët kanë bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme, duke shfrytëzuar pozicionet e tyre për të nxjerrë produktin jashtë kanaleve zyrtare dhe për ta shitur atë për përfitime personale.
Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila pritet të vijojë me hetimet për zbardhjen e plotë të skemës dhe përgjegjësive përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



