“Vodhi” dokumentin konfidencial, PS kërkon përjashtimin e Shehajt
Partia Socialiste ka kërkuar marrjen e masave disiplinore ndaj deputetit Agron Shehaj, si dhe referimin e çështjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), pas incidentit të regjistruar në ambientet e Kuvendit, ku kreu i Partisë Mundësia akuzohet se ka marrë një dokument konfidencial lidhur me një marrëveshje huaje mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në kërkesën e depozituar pranë kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, socialistët kërkojnë që ndaj Shehajt të vendoset masa e përjashtimit nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve për një periudhë 60-ditore.
Sipas Partisë Socialiste, gjatë shqyrtimit të marrëveshjes për huanë direkte mes Shqipërisë dhe SHBA-së, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak, deputetët janë njoftuar se dokumentacioni përmbante të dhëna të klasifikuara dhe mund të konsultohej vetëm në hapësirat e përcaktuara nga Kuvendi, pas firmosjes së deklaratës së konfidencialitetit.
PS pretendon se Agron Shehaj, pasi është paraqitur në ambientin ku mbahej dokumenti, ka kërkuar të largohej me një kopje fizike të materialit, kërkesë e cila sipas tyre është refuzuar nga administrata e Kuvendit.
Në kërkesën drejtuar institucioneve parlamentare thuhet se deputeti “e ka marrë me forcë materialin dhe është larguar me të”, ndërsa një punonjëse e Kuvendit, e cila sipas socialistëve ka tentuar ta ndalojë dhe të rimarrë dokumentin, është rrëzuar në shkallë dhe ka pësuar dëmtime.
“Deputeti Agron Shehaj, përmes sjelljeve të përsëritura agresive dhe të dhunshme, ka cenuar sigurinë e këshilltares së Kuvendit, e cila është gjendur përballë një veprimi të papranueshëm”, thuhet në kërkesën e Partisë Socialiste.
Përveç masës disiplinore brenda Kuvendit, PS kërkon që rasti të dërgohet për hetim në SPAK, me argumentin se veprimet e pretenduara mund të lidhen me vepra penale që kanë të bëjnë me marrjen e informacionit të klasifikuar, përvetësimin e dokumenteve zyrtare, pengimin e ushtrimit të detyrës së një funksionari publik dhe shkeljen e rregullave për mbrojtjen e sekretit shtetëror.
Ndërkohë, pritet që çështja të shqyrtohet nga strukturat përkatëse të Kuvendit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë një procedim penal nga Prokuroria e Posaçme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



