Vrasja e Renato Hoxhajt në Vlorë më 27 prill 2025 ka tronditur opinionin publik dhe ka nxjerrë në pah një rrjet kompleks kriminal ndërkombëtar. Autori i dyshuar për ekzekutimin është një shtetas rumun me precedentë penalë, i cili ka qëndruar rreth 90 minuta në pritë para pallatit ku banonte Hoxhaj.
Kur viktima ka dalë, ai është qëlluar me dy plumba në kokë dhe një në trup, duke humbur jetën menjëherë. Pamjet filmike e tregojnë autorin të qetë, me maskë dhe kapele, veshje e pazakontë për stinën, por e studiuar për të shmangur identifikimin.
Hetimet kanë zbuluar se autori ishte një vrasës me pagesë, i kontraktuar nga një person i njohur si “Reno i Vogël” në Dubai, për të kryer vrasjen pak ditë para ngjarjes. Pas ekzekutimit, ai ka dalë nga Shqipëria përmes doganës së Qafë Botës. Policia e Vlorës ka konfirmuar se Hoxhaj është qëlluar nga dy armë të ndryshme, pasi janë gjetur plumba të ndryshme në trupin e viktimës. Autori ka lëvizur me një makinë tip “Range Rover”, e cila është pikasur para dhe pas krimit dhe më pas ka humbur çdo gjurmë. Ky mjet është blerë rreth 3 javë para krimit në Tiranë.
Në lidhje me këtë ngjarje, është arrestuar Eris Mehmetaj, i dyshuar se ka ndihmuar autorin e vrasjes. Mehmetaj është mik i Roan Brahimit, i cili u ekzekutua në maj 2024 në Greqi. Policia e Vlorës ka identifikuar makinën me të cilën lëvizi autori dhe ka zbuluar se këtë makinë ia kishte dorëzuar Mehmetaj para krimit. Vetë Mehmetaj ka mohuar të ketë lidhje me krimin, duke thënë se ia ka lënë makinën një miku, pa e ditur se për çfarë do të përdorej më pas. Emri i “mikut” të tij nuk është bërë publik dhe po verifikohet nga hetuesit.
Renato Hoxhaj, 58 vjeç, u ekzekutua me katër plumba mëngjesin e 27 prillit. Viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup.Autori i ngjarjes rezulton ende në kërkim.Vrasësi është pikasur nga kamerat e sigurisë, megjithëse është totalisht i paidentifikueshëm pasi ka përdorur maskë silikoni për fytyrën dhe një bark artificial për të konfuzuar autoritetet.
Ky krim ka nxjerrë në pah lidhjet ndërkombëtare të grupeve kriminale dhe përdorimin e vrasësve me pagesë për eliminimin e kundërshtarëve. Hetimet janë në vazhdim për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë.