Vrasja e Astrit Kalajës/ Gjykata e Lartë e pranon, shteti dështoi!
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pasditen e sotme në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda ambienteve të gjykatës, ka reaguar zyrtarisht Gjykata e Lartë.
Në deklaratën e saj, Gjykata e Lartë dënon me forcë aktin kriminal dhe thekson se garantimi i sigurisë fizike të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore.
“Ngjarja e sotme përbën një sulm të paprecedentë ndaj sistemit të drejtësisë. Siguria e gjyqtarëve nuk është çështje individuale, por një domosdoshmëri institucionale që garanton funksionimin e drejtë të shtetit të së drejtës,” – thuhet në reagim.
Gjykata e Lartë u bën thirrje autoriteteve për të rishikuar dhe forcuar masat e sigurisë në të gjitha gjykatat e vendit, për të mbrojtur jetën e gjyqtarëve dhe integritetin e sistemit gjyqësor.
Reagimi
Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja, dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.
Kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare.
Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij, jo vetëm nga pikëpamja fizike e infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike të respektit dhe përmbajtjes në gjuhën që përdoret ndaj figurës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor.
Gjykata e Lartë vlerëson se garantimi i sigurisë fizike e institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.
Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë dhe e besimit të publikut tek shteti i së drejtës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


