Vrasja e policit, Hita dhe Lamallari konferencë të përbashkët
“Kam urdhëruar hetim për procedurat” – deklaron kreu i Policisë, ndërsa ministri i Brendshëm kërkon “lidership të fortë dhe përgjegjësi të plotë”
Një zhvillim i rëndë ka tronditur Policinë e Shtetit pas ngjarjes tragjike në Maliq, ku efektivi Mekolli humbi jetën gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për të zbardhur jo vetëm rrethanat e vrasjes, por edhe mënyrën se si u organizua operacioni policor.
Në një konferencë për shtyp, drejtuesi i Policisë, Skënder Hita, bëri të ditur se ka urdhëruar nisjen e një hetimi të plotë për të verifikuar nëse janë ndjekur procedurat standarde gjatë ndërhyrjes për arrestimin e Violand Braçellarit. Fokus i hetimit është veçanërisht fakti pse Drejtoria Vendore e Policisë Korçë nuk ka kërkuar mbështetje nga forcat speciale RENEA apo strukturat e tjera të sigurisë për një operacion të konsideruar me rrezik të lartë.
Hita theksoi se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ndërsa nuk fshehu se ka pasur mungesë informacioni në nivelet më të larta të drejtimit të policisë në momentin kur po zhvillohej operacioni.
“Momentin që është zhvilluar operacioni, nuk kam pasur dijeni. Këto janë masa operacionale që i përkasin Drejtorisë së Korçës”, deklaroi ai.
Sipas tij, në operacion kanë marrë pjesë rreth 40 efektivë policie, të gjithë të pajisur me jelekë antiplumb. Megjithatë, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të shmangur tragjedinë, pasi arma e përdorur nga autori, një kallashnikov, ka depërtuar përmes mbrojtjes balistike, duke i marrë jetën efektivit në krye të detyrës.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të forta mbi organizimin dhe koordinimin e operacioneve policore në raste të tilla, ndërsa pritet që hetimi të përcaktojë përgjegjësit konkrete për këtë dështim që përfundoi me pasoja fatale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



