E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasja e të dënuarit në Greqi, dyshimet e forta për Alket Rizain
Lajme

Vrasja e të dënuarit në Greqi, dyshimet e forta për Alket Rizain

Autoritetet greke po vijojnë hetimet për vrasjen e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Antonis Papadatos, i cili u ekzekutua me dy plumba në kokë brenda ish-zyrës së kryerojes në burgun e Domokosit. Sipas mediave greke, ambienti ku ndodhi ngjarja nuk mbulohej nga kamerat e sigurisë, duke e bërë më të vështirë rindërtimin e saktë të skenës së krimit.

Deri më tani janë arrestuar dy persona: një i dënuar bullgar me precedentë të rëndë penalë dhe kryeroja i burgut. Versioni i tyre, sipas të cilit viktima i kishte sulmuar me qëllim për të vrarë punonjësin e burgut, nuk ka bindur autoritetet hetimore.

Në kuadër të hetimeve janë marrë mostra nga duart e dy të arrestuarve për të verifikuar praninë e mbetjeve të barutit. Mostër është marrë edhe nga shqiptari Alket Rizai, ndonëse dy të arrestuarit mohojnë që ai të ketë qenë në vendin e ngjarjes. Megjithatë, disa dëshmi e vendosin atë pranë zonës ku ndodhi vrasja, çka shtyu autoritetet të kryejnë analizat përkatëse.

Duke qenë se ngjarja ka ndodhur në një ambient të mbyllur, ekspertët theksojnë se gjurmë baruti mund të gjenden edhe tek persona që nuk kanë qëlluar vetë, por kanë qenë të pranishëm. Për këtë arsye, analiza e mbetjeve mund të provojë praninë në vendngjarje, por jo domosdoshmërisht autorësinë e të shtënave.

Hipoteza që arma të ketë qenë në posedim të viktimës konsiderohet pak e besueshme. Ekzaminimi mjeko-ligjor nuk ka evidentuar shenja përleshjeje, ndërsa arma e gjetur në vendngjarje rezulton e pastër nga ADN-ja dhe gjurmët e gishtërinjve.

Ky fakt ngre pikëpyetje të forta mbi dinamikën e ngjarjes. Nëse arma është pastruar, kjo bie ndesh me pretendimin për përleshje spontane. Po ashtu, lind pyetja pse do të pastrohej arma, nëse autorët do të pranonin më pas përgjegjësinë për aktin.

Edhe pse bullgari dhe kryeroja japin detaje për zhvillimet para dhe pas ngjarjes, sipas raportimeve, ata paraqesin boshllëqe të konsiderueshme për momentin e të shtënave. Oficerë me përvojë në hetimin e krimit të organizuar e konsiderojnë këtë si një element që rëndon dyshimet ndaj tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.