Vrasja në Fier, prindërit e autorit zbulojnë prapaskenat tronditëse
“Djali i ka dërguar para nga Anglia 24-vjeçares, nuk ia ktheu”
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mëngjesin e kësaj të premteje fshatin Vidhisht në Roskovec të Fierit, ku një konflikt familjar ka përfunduar në tragjedi.
Sipas të dhënave paraprake, 35-vjeçari Refit Buzi, i njohur edhe si Nertil, dyshohet se ka qëlluar për vdekje ish-vjehrrin me armë gjahu, ndërsa ka lënë të plagosur ish-vjehrrën. Pas krimit, ai ka marrë me forcë ish-të fejuarën, por pas më shumë se katër orësh e ka liruar atë. Aktualisht, autori i dyshuar vijon të jetë i rrethuar nga forcat e policisë, ndërsa po zhvillohen negociata për dorëzimin e tij.
Ngjarja dyshohet të ketë rrënjë në një konflikt të mëhershëm mes palëve. Prindërit e 35-vjeçarit kanë deklaruar se përplasja lidhet me një shumë parash që djali i tyre kishte dërguar nga Anglia në llogari të ish-të fejuarës gjatë kohës së bashkëjetesës. Sipas tyre, pas ndarjes, ai kishte kërkuar kthimin e parave, por familja e vajzës nuk kishte pranuar.
Këto pretendime mbeten deklarime të familjarëve dhe nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet hetimore, të cilat vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, prindërit e autorit kanë shprehur keqardhje për humbjen e jetës së ish-vjehrrit dhe i kanë bërë thirrje publike djalit të tyre që të dorëzohet, duke shmangur çdo përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



