Gjykata e Firence ka dënuar me 30 vite burg Elona Kaleshi, 38-vjeçaren shqiptare të akuzuar për vrasjen dhe copëtimin e çiftit Shpëtim Pasho dhe Teuta Pasho, prindërit e ish-të fejuarit të saj, Taulant Pasho.
Çifti Pasho rezultonte i zhdukur që prej tetorit të vitit 2015, ndërsa trupat e tyre u zbuluan vetëm në dhjetor të vitit 2020, të ndarë në pjesë dhe të futur në disa valixhe të braktisura në një zonë mes burgut të Sollicciano-s dhe superstradës Firenze–Pisa–Livorno.
Denoncimi për zhdukjen e tyre ishte bërë nga vajza e familjes pranë karabinierëve në Castelfiorentino, ku ajo jeton dhe ku tashmë janë prehur edhe trupat e prindërve.
Sipas hetimeve të prokurorisë italiane, Kaleshi dyshohet se i ka vrarë prindërit e ish-të fejuarit një natë përpara se ai të lirohej nga burgu, më 2 nëntor 2015. Krimi mendohet të jetë kryer në apartamentin që ajo kishte marrë me qira në Firence, pikërisht për qëndrimin e tyre.
Motivi, sipas organit të akuzës, lidhet me frikën e autores se viktimat mund t’i tregonin të birit për një abort që ajo kishte kryer gjatë kohës që ai ndodhej në burg, për një shtatzëni që nuk ishte me të.
Megjithëse prokuroria kishte kërkuar dënim me burgim të përjetshëm, gjykata vendosi përfundimisht dënimin me 30 vite heqje lirie.
Nga ana tjetër, mbrojtja ka kundërshtuar vendimin, duke deklaruar se nuk ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë autorësinë e Kaleshit, si dhe duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën dhe arsyen e kryerjes së krimit.







