Zbardhen emrat e parë që synojnë drejtimin e Gardës së Republikës
Janë bërë publikë tre emrat e parë që kanë aplikuar për postin e kreut të Gardës së Republikës, pas hapjes zyrtare të garës nga Ministria e Brendshme në muajin dhjetor. Bëhet fjalë për ekspertin e sigurisë Faik Basha, ish-deputetin e Partisë Socialiste Denis Deliu dhe drejtuesin aktual të komanduar të Gardës, oficerin Simon Zereci.
Afati për dorëzimin e aplikimeve u mbyll më 30 dhjetor 2025, ndërsa brenda 45 ditëve nga shpallja e garës, komisioni i posaçëm i ngritur nga Ministria e Brendshme pritet të përzgjedhë drejtuesin e ri të institucionit.
Pas dorëheqjes së Ermal Onuzit më 3 qershor, Garda e Republikës është drejtuar në mënyrë të komanduar nga oficeri i karrierës Simon Zereci.
Kush janë kandidatët
Faik Basha
Faik Basha është ekspert i njohur i fushës së sigurisë. Ai ka përfunduar studimet në Universitetin Ushtarak “Skënderbej” dhe ka ndjekur një sërë kursesh dhe trajnimesh të specializuara mbi sigurinë, terrorizmin, menaxhimin e rrezikut dhe mbrojtjen, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Gjatë karrierës së tij ka shërbyer në Forcat e Armatosura, ka mbajtur poste drejtuese në Policinë e Burgjeve, ka drejtuar Policinë Bashkiake të Kamzës dhe ka qenë aktiv edhe në sektorin privat të sigurisë. Paralelisht, Basha është angazhuar prej vitesh në analiza dhe komente publike mbi çështje të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Denis Deliu
Denis Deliu, ish-deputet i Partisë Socialiste, ka formim ushtarak dhe ka ndjekur studimet në shkollën ushtarake gjatë viteve 2005–2009, me specializim në administrim biznesi dhe këmbësori. Ai ka përfunduar gjithashtu kursin selektiv të forcave speciale të ushtrisë, të njohur si “beretat vishnje”.
Për shtatë vite ka qenë i trajnuar nga njësi elitare amerikane, përfshirë Green Berets, Navy SEALs dhe Delta Force. Pas shërbimit në forcat speciale të ushtrisë, Deliu iu bashkua Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, ku për dy vite shërbeu si komandant i grupit të sulmit në eskortat e Kryeministrit dhe Presidentit.
Më pas ka punuar për tre vite në Drejtorinë e Vettingut, ku ka drejtuar trajnimin e personelit përgjegjës për sigurinë e institucioneve të vettingut, përfshirë KPK, ONM, IKP dhe KPA. Pas kësaj eksperience, ai kandidoi për deputet në qarkun e Durrësit, në zonën e Krujës. Deliu disponon certifikatë sigurie “Top Secret” të NATO-s.
Simon Zereci
Simon Zereci është aktualisht drejtues i komanduar i Gardës së Republikës dhe prej vitit 2013 mban funksionin e Komandantit të Njësisë Speciale. Ai ka përfunduar shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” dhe më pas studimet e larta në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, me specialitet “Gjithëarmësh”.
Karrierën e nisi në vitin 1986 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në vitin 1988 iu bashkua Gardës së Republikës, ku ka shërbyer në një sërë funksionesh operacionale dhe drejtuese, përfshirë shoqërimin e personaliteteve të larta shtetërore, drejtimin e njësive operative dhe komandimin e grupeve speciale.
Zereci ka ndjekur trajnime të shumta brenda dhe jashtë vendit, mes tyre programe për mbrojtjen e personaliteteve VIP, trajnime me instruktorë amerikanë dhe specializime në teknika të avancuara vetëmbrojtjeje, përfshirë “Krav Maga”. Në vitin 2020 mori gradën Kolonel, e cila më pas u konvertua në Drejtues i Parë, ndërsa grada Drejtues i Lartë iu dha me emërimin si Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Gardës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



