Zbardhen porositë e Ramës për socialistët në Pogradec
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim në Pogradec me drejtuesit politikë të 12 qarqeve dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare, ku në fokus ka qenë organizimi i Partisë Socialiste dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Mbledhja ka nisur rreth orës 11:30 dhe diskutimi i parë është përqendruar te dokumenti “Besa”, për të cilin pjesëmarrësit kanë paraqitur sugjerimet e tyre.
Më pas, diskutimi është zhvendosur te raporti mes strukturave politike të PS-së dhe administratës në territor.
Rama ka kërkuar mendimin e drejtuesve të pranishëm mbi rolin që duhet të ketë secili ministër, drejtues politik, deputet dhe drejtor në nivel rajonal, duke vënë theksin te mënyra se si mund të përmirësohet bashkëpunimi mes këtyre strukturave.
Në fokus ka qenë edhe përzgjedhja e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme vendore. Kryeministri u ka kërkuar socialistëve që të identifikojnë dhe përzgjedhin emra “shumë të pastër” dhe të afërt me komunitetin.
Takimi në Pogradec zhvillohet në një periudhë kur PS po nis përgatitjet politike për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Megjithatë, nga informacionet e bëra publike deri tani, nuk rezulton që Rama të ketë marrë vendime konkrete për kandidatët vendorë, reformën territoriale apo ndryshime në administratë.
Në Pogradec nuk janë mbledhur vetëm drejtuesit politikë të qarqeve, por edhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.
Axhenda e takimeve do të vijojë edhe të hënën, ndërsa në ditët e para të shtatorit pritet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Asambleja pritet të ketë rëndësi të veçantë në përcaktimin e prioriteteve politike të PS-së për sezonin e ri, ndërsa deri tani nuk ka një njoftim zyrtar se takimet e Pogradecit do të shoqërohen me ndryshime në kabinetin qeveritar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



