E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbardhet dëshmia e gruas së Gazment Buçpapajt: Ja si nisi konflikti
Lajme

Zbardhet dëshmia e gruas së Gazment Buçpapajt: Ja si nisi konflikti

Është zbardhur dëshmia e plotë që Laureta Buçpapaj ka dhënë në polici lidhur me ngjarjen ku humbi jetën Egli Pashollari. Bashkëshorti i saj, Gazment Buçpapaj, është shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasjen e 31-vjeçarit.

Sipas deklarimit të saj para hetuesve, rreth orës 15:05 të datës 20 shkurt, pasi kishte përfunduar orarin e punës, ajo është larguar me automjetin tip “Audi”, i cili drejtohej nga bashkëshorti i saj. Gjatë lëvizjes në zonën e rrugës “Ylbere Bylykbashi” dhe më pas në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, është krijuar një situatë tensioni në trafik me një automjet gri.

Laureta Buçpapaj ka deklaruar se drejtuesi i mjetit gri u kishte bllokuar rrugën dhe bashkëshorti i saj kishte përdorur borinë për t’i kërkuar të hapte rrugën. Sipas saj, nga automjeti tjetër ishin dëgjuar ofendime të rënda, por ata nuk kishin reaguar dhe kishin vijuar rrugën.

Megjithatë, pak më vonë e njëjta makinë kishte vazhduar të lëvizte shumë ngadalë përpara tyre. Pasi bashkëshorti i saj i kishte rënë sërish borisë, automjeti gri kishte ndaluar.

“Nga ky mjet ka dalë shoferi, një djalë rreth 30 vjeç, me trup të dobët, i veshur me bluzë të zezë me mëngë të shkurtra, i shoqëruar nga dy persona të tjerë, dhe është afruar drejt mjetit tonë,” ka rrëfyer ajo në polici.

Në atë moment, sipas dëshmisë, edhe Gazment Buçpapaj ka zbritur nga makina dhe mes tyre ka nisur një konflikt fizik me grushte. Gruaja e të dyshuarit ka treguar se edhe ajo vetë ka dalë nga automjeti dhe ka shtyrë drejtuesin e mjetit tjetër si dhe një nga personat që e shoqëronte.

Pas disa çastesh, ajo ka parë që shoferi i makinës tjetër ishte gjakosur. Më pas, sipas saj, bashkëshorti e ka kapur nga krahu dhe të dy janë larguar me automjetin e tyre.

Nga verifikimi i kamerave të sigurisë ka rezultuar se rreth 50 metra larg vendit të konfliktit ata kanë braktisur automjetin dhe janë larguar në këmbë në drejtim të Rruga e Kavajës. Pak më tej kanë marrë një taksi dhe janë kthyer në banesën e tyre në zonën e Sharra.

Sipas dëshmisë së saj, në banesë bashkëshorti ka ndërruar rrobat dhe më pas është larguar në këmbë në drejtim të qendrës së kryeqytetit, pa marrë me vete telefonin.

“Bashkëshorti Gazment Buçpapaj ka ndërruar rrobat, bluzën dhe pantallonat, dhe është larguar nga banesa në këmbë në drejtim të kryeqytetit, pa marrë me vete telefonin e tij dhe nuk kam më dijeni se ku ka shkuar,” ka deklaruar ajo.

Ajo ka shtuar gjithashtu se nuk e ka parë momentin kur bashkëshorti i saj mund ta ketë goditur shoferin e mjetit tjetër me ndonjë send, por dyshon se ai mund ta ketë sulmuar me një thikë që, sipas saj, e mbante në automjet.

Pas ngjarjes ku humbi jetën Egli Pashollari, i dyshuari Gazment Buçpapaj vijon të jetë në kërkim nga policia, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit janë në vijim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.