Zbardhet ekspertiza për zjarrin “misterioz” në pallatin “Arlis”
Shërbimi zjarrfikës ka përfunduar ekspertizën mbi zjarrin e ndodhur më 14 prill në Tiranë, duke ia dorëzuar raportin përfundimtar Prokurorisë.
Sipas konkluzioneve zyrtare, shkaku i zjarrit nuk lidhet me defekte teknike apo neglizhencë nga ana e shërbimeve përgjegjëse. Hetimi ka përjashtuar mundësinë e një shkëndije elektrike apo shpërthimi nga bombola gazi, duke përcaktuar se zjarri është shkaktuar nga faktorë të jashtëm.
Nga analiza e vendngjarjes dhe pamjeve filmike rezulton se vatra fillestare ka qenë një karrocë pranë mbeturinave. Në pamjet që janë publikuar në rrjet rreth ngjarjes, evidentohet qartë se flakët shpërthejnë vetëm pak sekonda pasi disa fëmijë largohen nga zona, çka forcon dyshimet për një shkak të jashtëm dhe jo aksidental teknik.
Raporti i plotë tashmë është në duart e Prokurorisë, e cila pritet të vijojë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



