‘Zbarkon’ në Shqipëri gripi australian, raportohen 12 mijë raste në javë
Gripi këtë vit pritet të shfaqet më herët se zakonisht. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se një valë e gripit australian, mund të prekë vendin tonë dhe pjesë të tjera të Europës, me dominim të virusit AH3N2.
Instituti i Shëndetit Publik njofton se po rritet numri i infeksioneve respiratore, me rreth 12 mijë raste të raportuara në javë, megjithatë ende nuk është regjistruar asnjë rast i konfirmuar me grip.
“Po kemi 12 mijë raste në javë, por nuk kemi izoluar ende virusin e gripit,” shprehet specialisti i ISHP, Artan Simaku.
Qendrat shëndetësore raportojnë fluks pacientësh me simptoma të ngjashme me gripin: temperaturë të lartë që zgjat, kollë, bronkit, dhe shpesh infeksione të veshit të shkaktuara nga virusi.
Shumë pacientë nuk testohen ose nuk kërkojnë ndihmë mjekësore, prandaj rastet reale mund të jenë më të shumta. Mjekët këshillojnë vaksinimin sa më shpejt, për të parandaluar komplikime.
“Në Europë po qarkullojnë AH1N1 dhe AH3N2, dhe vaksina mbulon këto shtame,” shton Simaku.
Përveç gripit, COVID-i dhe virozat e tjera respiratore, veçanërisht virusi respirator sinsicial, mund të rëndojnë situatën tek fëmijët nën 5 vjeç.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



