Zbulohen dy lokale bastesh në Tiranë
Një i arrestuar dhe një i proceduar
Dy raste të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit janë zbuluar në Tiranë, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga policia në subjekte të ndryshme.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 konstatuan se në dy lokale zhvilloheshin baste sportive përmes pajisjeve elektronike, si kompjuterë dhe celularë.
Në kuadër të operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi me iniciale E. Gj., 28 vjeç, pronar i njërit prej lokaleve në rrugën “Frederik Shiroka”, ku u gjet një kompjuter me programe të instaluara për lojëra fati.
Ndërkohë, u procedua penalisht shtetasi B. K., 20 vjeç, punonjës në lokalin tjetër, pasi gjatë kontrollit në celularin e tij u konstatuan aplikacione për baste sportive.
Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi pajisjet elektronike që përdoreshin për këtë veprimtari të kundërligjshme, ndërsa thekson se kontrollet për goditjen e lojërave të fatit vijojnë në të gjithë kryeqytetin.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



