Zbulohen qindra bimë kanabisi në një tunel në Shkodër, pranga 3 personave
3 të tjerë në kërkim
Tre persona janë arrestuar dhe tre të tjerë po hetohen në gjendje të lirë pas një operacioni të zhvilluar nga policia në lagjen “10 Korriku” në Shkodër, ku u zbulua një tunel i përshtatur për kultivimin e kanabisit.
Aksioni u ndërmor nga strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Forca e Posaçme Shqiponja, në kuadër të goditjes së kultivimit të lëndëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Operacioni i koduar “Neonët 9” çoi në zbulimin e një ambienti në formë tuneli, brenda oborrit të një banese të marrë me qira, i cili ishte përshtatur me pajisje të posaçme për rritjen dhe tharjen e bimëve narkotike. Sipas policisë, energjia elektrike furnizohej përmes lidhjes së paligjshme.
Gjatë kontrollit u sekuestruan 555 fidanë dhe 115 bimë të dyshuara kanabis, 126 llamba, 31 panele LED, 17 filtra ajri si dhe dhjetëra pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin dhe përpunimin e lëndës narkotike.
Në pranga ranë Arvid Papajanis, 35 vjeç, Klodian Hasanaj, 30 vjeç, si dhe Dritan Selmani, 40 vjeç. Dy prej tyre u kapën në ambientet e tunelit gjatë operacionit.
Ndërkohë, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për tre punonjës të OSHEE, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht këtë veprimtari kriminale.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, strukturat e specializuara të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, të mbështetura nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjen dhe përpunimin e tyre për shitje.
Si rezultat, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Neonët 9”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë zbuluar një ambient (tunel), në oborrin e një banese të marrë me qira nga shtetasi A. P., në lagjen “10 Korriku”, i cili ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 555 fidanë dhe 115 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 126 llamba, 80 paisje inventer, 31 panele led dhe 17 filtra ajri, që shërbenin për kultivimin dhe tharjen e fidanë dhe bimëve narkotike.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 35 vjeç, banues në Shkodër dhe K. H., 30 vjeç, banues në fshatin Degë, Tropojë, të cilët u kapën në ambientet e tunelit.
Gjithashtu, u vu në në pranga shtetasi D. S., 40 vjeç, banues në Shkodër, si dhe nisi hetimi për shtetasit D. P., 32 vjeç, M. H., 35 vjeç dhe F. V., 23 vjeç, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



