Zbulohet bazë armatimesh në Manzë, arrestohet 20-vjeçari
Një operacion i befasishëm i Policisë së Durrësit ka çuar në zbulimin e një baze armatimesh në zonën e Manzës, duke ngritur dyshime të forta për lidhje me aktivitet kriminal të organizuar.
Aksioni, i koduar “Baza”, u finalizua më 19 korrik, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Gjatë kontrollit në banesën e një 20-vjeçari me inicialet E.P., efektivët zbuluan një arsenal të konsiderueshëm armësh dhe municionesh, të cilat dyshohet se përdoreshin për furnizimin e grupeve kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 pistoleta, një armë automatike model 56 (kallashnikov), një armë gjahu (shotgun), 6 krehëra dhe qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm. Gjithashtu u gjetën edhe një targë automjeti italiane dhe një aparat celular, që pritet të shërbejnë në hetime.
I riu u arrestua në flagrancë, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si edhe për armëmbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive.
Sipas Policisë, armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje të mëparshme kriminale.
Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



