Zbulohet Call Center-i në mes të Tiranës, arrestohet 25-vjeçarja
Një tjetër rast mashtrimi përmes platformave online është goditur nga autoritetet në Tiranë, ku një apartament i përshtatur si call center rezulton të jetë përdorur për të mashtruar shtetas të huaj.
Sipas burimeve zyrtare, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në një banesë në rrugën “Tish Daija”, e cila ishte në posedim dhe administrim të një 25-vjeçareje.
Dyshohet se nga ky ambient organizohej një skemë mashtrimi, ku qytetarë të huaj bindeshin të investonin në bursa fiktive, përmes komunikimeve telefonike dhe platformave online.
Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 13 njësi kompjuterike, 2 laptopë dhe 5 telefona celularë, si dhe materiale të tjera që pritet të ndihmojnë në dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.
Dosja i është referuar Prokuroria e Tiranës, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Ky rast rikthen në vëmendje fenomenin e call center-ave të paligjshëm, që operojnë në mënyrë të fshehtë dhe targetojnë kryesisht shtetas të huaj përmes mashtrimeve financiare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



