Zbulohet data, Berisha njofton protestën kombëtare të radhës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpallur publikisht datën e protestës së radhës kombëtare të opozitës, duke e cilësuar atë si moment vendimtar për përballjen me qeverinë. Gjatë një mbledhjeje me Grupin Parlamentar të PD-së, ai njoftoi se protesta do të mbahet më 12 mars dhe e përshkroi si “kryengritjen e radhës” kundër qeverisë.
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se synimi i opozitës është rrëzimi i asaj që ai e quajti “regjim i shndërruar në organizatë kriminale”, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për drejtim të vendit në kundërshtim me interesat kombëtare.
Ai u ndal veçanërisht tek raportet me Serbinë, duke përmendur presidentin serb Aleksandar Vučić, të cilin e quajti “Sllobodani i ri”. Sipas Berishës, afrimi me Beogradin përbën kërcënim për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe për integrimin e saj në Bashkimin Europian.
“Data 12 është kryengritja e radhës. Është thirrje për çdo shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, që t’i përgjigjet me forcë kësaj situate”, u shpreh ai, duke ftuar qytetarët të bashkohen në protestë.
Berisha theksoi se nuk mund të pranohet, sipas tij, që vendi të qeveriset nga një drejtim që ai e cilëson si të korruptuar dhe në dëm të interesit kombëtar. Ai shtoi se orientimi drejt Beogradit, në vend të Brukselit, përbën devijim të qartë nga rruga europiane e Shqipërisë.
Protesta e 12 marsit pritet të jetë e gjashta në radhë e organizuar nga opozita në kuadër të aksionit të saj politik kundër qeverisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



