E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbulohet numri, ja sa shqiptarë ndodhen aktualisht në Iran
Lajme

Zbulohet numri, ja sa shqiptarë ndodhen aktualisht në Iran

Ndërsa përplasja mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e saj të gjashtë, shqetësimi për sigurinë e shtetasve të huaj që ndodhen në territorin iranian po rritet ndjeshëm. Situata e tensionuar ka ngritur pikëpyetje edhe për qytetarët shqiptarë që jetojnë ose punojnë në Republikën Islamike.

Burime diplomatike të kontaktuara nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, kanë bërë të ditur për herë të parë edhe numrin e shqiptarëve që aktualisht ndodhen në Iran. Sipas këtyre burimeve, deri tani janë identifikuar gjashtë shtetas shqiptarë rezidentë në këtë vend.

Nga këta, dy janë gra shqiptare të martuara me shtetas iranianë, ndërsa pjesa tjetër janë individë që jetojnë prej vitesh atje për arsye familjare apo profesionale.

Sipas të njëjtave burime diplomatike, deri në këtë moment asnjë prej tyre nuk ka kërkuar ndihmë nga autoritetet shqiptare për t’u larguar nga Irani. Po ashtu, nuk rezulton që ata të kenë kontaktuar Ambasadën e Shqipërisë në Ankara, e cila mbulon edhe Iranin, pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit në shtator të vitit 2022.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që ndodhen në Iran – si rezidentë apo vizitorë – dhe që planifikojnë të udhëtojnë drejt Shqipërisë përmes Turqisë, të vendosen menjëherë në kontakt me Ambasadën shqiptare në Ankara, veçanërisht nëse përdorin pikat kufitare tokësore mes Iranit dhe Turqisë.

Ndërkohë, Top Channel ka mësuar se disa ditë pas sulmit të SHBA ndaj Iranit në qershor të vitit 2025, autoritetet shqiptare u përfshinë në një operacion për riatdhesimin e një familjeje shqiptare nga Irani.

Bëhej fjalë për familjen e një shtetasi shqiptar që punonte në seksionin e gjuhës shqipe në radion shtetërore iraniane dhe që jetonte në Iran që prej vitit 1995. Ai u largua nga vendi së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre, duke udhëtuar fillimisht drejt Turqisë dhe më pas drejt Shqipërisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.