E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbulohet pasuria e 4 emrave që kërkojnë vendin e Altin Dumanit
Flash

Zbulohet pasuria e 4 emrave që kërkojnë vendin e Altin Dumanit

Nga apartamentet, e deri tek llogaritë bankare

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) do të nisë ditën e nesërme (21 tetor) procedurat për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Mbledhja pritet të nisë në orën 10:00, ku anëtarët e Këshillit do të shqyrtojnë nëse katër kandidatët për këtë pozicion plotësojnë kushtet ligjore për të vijuar garën.

Sipas rendit të ditës, në fokus do të jetë miratimi i listës së kandidatëve që kalojnë fazën e parë formale, pas së cilës ata do të thirren për intervista dhe për prezantimin e platformës përpara anëtarëve të KLP-së. Në garë për postin e drejtuesit të SPAK janë katër prokurorë me eksperiencë: Adnan Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj.

Të gjithë kandidatët kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit (Vetting), pa u konstatuar probleme që do të pengonin vijimin e karrierës së tyre në drejtësi. Megjithatë, për arsye informuese dhe në funksion të transparencës, “Pamfleti” ka sjellë në vëmendje të opinionit publik një përmbledhje të pasurive të deklaruara nga katër kandidatët ndër vite, të bazuar në të dhënat e BIRN dhe ato të siguruara nga ILDKPKI për periudhën 2020–2023.

Të katër kandidatët për drejtimin e SPAK paraqiten me profile pasurore të konsoliduara dhe të deklaruara sipas kërkesave ligjore.

Klodian Braho: rritje graduale e pasurisë dhe investime në pasuri të paluajtshme

Sipas asaj çka shkruan pamfleti, prokurori Klodian Braho rezulton me një rritje të qëndrueshme të pasurisë përgjatë karrierës së tij. Nga një shumë modeste prej 90 mijë lekësh në kursime në vitin 2007, deri në një pasuri të deklaruar prej 6.6 milionë lekësh në vitin 2017, Braho ka shënuar një rritje mesatare vjetore prej 592 mijë lekësh.

Në vitin 2020, ai shiti një apartament për 6 milionë lekë, ndërsa në vitin 2021 deklaroi blerjen e një apartamenti të ri me sipërfaqe 110 m² dhe një automjet me vlerë 1.5 milionë lekë. Po ashtu, bashkëshortja e tij rezulton bashkëkredimarrëse në një kredi 46 mijë euro për një apartament në emër të babait të saj, ku pagesat përballohen nga i ati.

Adnan Xholi: rritje e fortë pasurore dhe llogari të mëdha bankare

Më tej sipas pamfletit, prokurori Adnan Xholi, ka deklaruar një pasuri familjare fillestare prej vetëm 300 mijë lekësh në vitin 2003, ndërsa në vitin 2023 raportoi një gjendje bankare që arrin në 75 mijë euro në një llogari rrjedhëse, krahas 12 mijë eurove cash.

Ai zotëron gjithashtu disa pasuri të paluajtshme dhe automjete, ndërsa burimet kryesore të të ardhurave janë të lidhura me pagën e tij si prokuror dhe të ardhurat e bashkëshortes. Në disa vite, BIRN ka evidentuar mospërputhje të vogla në formatin e deklarimeve, si mungesa e pasqyrimit të kursimeve cash në rubrikat e duhura apo mungesa e plotësimit të disa fushave në formularë.

Doloreza Musabelliu: pasuri familjare solide dhe llogari të ndara me bashkëjetuesin

Prokurorja Doloreza Musabelliu ka një profil financiar të qëndrueshëm, me të ardhura të bazuara kryesisht në pagën e saj dhe të bashkëjetuesit, i cili ushtron aktivitet si noter. “Pamfleti” thekson se në vitin 2021, Musabelliu deklaroi disa llogari bankare individuale dhe një gjendje cash prej 500 mijë lekësh.

Bashkëjetuesi i saj zotëron një apartament dhe një automjet, si dhe ka një llogari bankare me 2.4 milionë lekë. Këto të dhëna mbeten të pandryshuara edhe për vitin 2023, çka tregon një konsistencë në raportim dhe qëndrueshmëri ekonomike.

Elvin Gokaj: investime të mëdha në pasuri të paluajtshme dhe depozita në valutë të huaj

Prokurori Elvin Gokaj ka kaluar nga një pasuri modeste në vitin 2003 në një pasuri familjare të deklaruar prej rreth 9.7 milionë lekësh në 2017, dhe me një zhvendosje të theksuar të likuiditeteve në euro gjatë vitit 2023.

Sipas të dhënave të analizuara nga BIRN, Gokaj dhe bashkëshortja e tij zotërojnë disa apartamente në Durrës dhe në Tiranë – njëri përfituar me dhurim nga familjarët dhe dy të tjerë të blerë përmes kursimeve të depozituara në bankë. Në vitin 2023, Gokaj deklaron depozita individuale dhe të përbashkëta që arrijnë shumën totale prej 80 mijë eurosh.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.