Zbulohet skenari që mund të ndjekë Veliaj: Duhet të presim 15 ditë
Avokatja Enida Bozheku ka komentuar zhvillimet e fundit pas shkarkimit të Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke ofruar një skenar ligjor që sipas saj mund t’i hapë rrugën lirimit të tij.
E ftuar në emisionin “Log.” në News24, Bozheku theksoi se Veliaj ka të drejtë të apelojë vendimin e shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese dhe se kjo rrugë është e domosdoshme nga këndvështrimi ligjor.
“Veliaj nuk është i ndaluar ta çojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese. Nga pikëpamja juridike ai duhet të ndjekë këtë rrugë.
Kjo është e rëndësishme edhe për të adresuar ndalimin fizik për ushtrimin e detyrës, si pasojë e arrestimit,” u shpreh Bozheku.
Sipas saj, mosndjekja e kësaj rruge brenda afatit ligjor mund të ndikojë drejtpërdrejt në ecurinë e procesit në instanca të tjera, përfshirë Gjykatën e Lartë.
“Nëse nuk e çon në Kushtetuese, ky fakt mund të përdoret në Gjykatën e Lartë, ku Veliaj mund të ketë një shans për të fituar lirinë, në varësi të interpretimit të dhënë nga gjykata,” shtoi avokatja.
Bozheku nënvizoi gjithashtu se përveç aspektit ligjor, në këtë proces luajnë rol edhe dinamika të tjera procedurale e politike.
“Politikisht, varet nga marrëveshjet. Duhet të presim 15 ditë për të parë nëse ai do të sfidojë vendimin. Nëse e çon në Kushtetuese, kjo do të kërkojë kohën e nevojshme për shqyrtim, përveç rastit kur çështja nuk merr një trajtim preferencial,” përfundoi ajo.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



