“Zemër do përfundojmë keq”, çfarë i shkruante Vlora Hyseni-Agasit
Komunikimet mes ish-drejtoreshës së SHISH dhe Agasit ngrenë pikëpyetje të reja mbi natyrën e marrëdhënies së tyre, përtej versionit të dhënë gjatë dëshmisë.
Mesazhe të reja mes ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dhe Ergys Agasit kanë dalë në dritë, duke hedhur pikëpyetje të reja mbi marrëdhënien mes tyre dhe natyrën e komunikimeve që kanë pasur.
Sipas burimeve mediatike, SPAK ka administruar komunikime mes Hysenit dhe Agasit, të cilat, sipas hetuesve, nuk përputhen plotësisht me versionin e dhënë nga ish-drejtoresha e SHISH për kontaktet me të.
Hyseni ka pretenduar se komunikimet me Agasin kanë qenë të lidhura me rolin e tij si bashkëpunëtor. Megjithatë, nga mesazhet e zbardhura së fundmi shfaqen edhe komunikime me një gjuhë dukshëm personale.
Në një prej tyre, Hyseni i drejtohet Agasit duke i shkruar:
“Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt.”
Ky komunikim është një prej elementeve që po shqyrtohen në kuadër të hetimit, pasi përmbajtja e tij nuk i ngjan një komunikimi tipik institucional dhe ngre pikëpyetje mbi natyrën e marrëdhënies mes dy personave.
Një tjetër mesazh, i dërguar vetëm katër ditë para arrestimit të Ergys Agasit, përmban një tjetër komunikim me tone të afërta.
“Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt… do ia hedhim… problemi është koha.”
Mesazhi i referohet një situate që duket se të dy bashkëbiseduesit e konsiderojnë problematike, ndërsa shprehjet e përdorura tregojnë një komunikim të drejtpërdrejtë dhe personal.
Sipas të dhënave të bëra publike nga mediat, hetuesit kanë analizuar një numër të konsiderueshëm komunikimesh mes Hysenit dhe Agasit. Përveç mesazheve, në fokus janë edhe telefonatat dhe forma të tjera komunikimi që mund të ndihmojnë në përcaktimin e raportit mes tyre.
Në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK po verifikon edhe materiale të tjera që dyshohet se janë gjetur në ambientet apo sendet në përdorim të Ergys Agasit. Një prej pistave të hetimit lidhet me dokumente dhe të dhëna që dyshohet se kanë lidhje me Shërbimin Informativ të Shtetit.
Ndërkohë, Vlora Hyseni është vendosur në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe është pezulluar nga detyra, në kuadër të hetimeve të SPAK.
Pikërisht për këtë arsye, komunikimet mes saj dhe Agasit janë kthyer në një prej elementeve që po marrin vëmendje në dosjen hetimore. Për organin e akuzës, rëndësi nuk ka vetëm ekzistenca e kontakteve, por edhe përmbajtja e tyre, shpeshtësia dhe rrethanat në të cilat janë zhvilluar.
Mesazhet e bëra publike nuk përbëjnë në vetvete një përfundim mbi përgjegjësinë penale të personave të përfshirë. Kuptimi dhe vlera e tyre si prova do të përcaktohen në vijim të hetimit dhe nga organet e drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



