Zgjedhjet rajonale në Spanjë, ‘shuplakë’ për socialistët e Sanchez
Partia Popullore (PP), e djathta tradicionale spanjolle, ka dalë fituese në zgjedhjet e parakohshme rajonale në Extremadura, në perëndim të Spanjës, duke i shkaktuar një goditje të rëndë socialistëve të kryeministrit Pedro Sánchez, të përfshirë në disa skandale korrupsioni. Ndërkohë, e djathta ekstreme ka shënuar rritje të ndjeshme.
Sipas rezultateve zyrtare pothuajse përfundimtare, me 99% të votave të numëruara, PP ka marrë 43% të votave, duke siguruar 29 nga 65 vendet në parlamentin rajonal, një më shumë krahasuar me legjislaturën e mëparshme. Megjithatë, ky rezultat nuk i mjafton për të qeverisur e vetme, çka nënkupton se do t’i duhet mbështetja e partisë së ekstremit të djathtë Vox.
Vox ka qenë një nga fitueset kryesore të këtyre zgjedhjeve, duke rritur përfaqësimin e saj nga 5 në 11 mandate, me afro 17% të votave. Në krahun tjetër, Partia Socialiste (PSOE) ka pësuar një rënie drastike, duke humbur 14 pikë përqindjeje dhe 10 vende në parlament. Me rreth 26% të votave, socialistët do të kenë vetëm 18 deputetë në një rajon që për dekada me radhë konsiderohej bastioni i tyre politik dhe që e kishin qeverisur deri në vitin 2023.
Zgjedhjet u zhvilluan në një rajon me ekonomi kryesisht bujqësore dhe rreth një milion banorë, dhe ishin të parat pas vendimit të një gjykate për të dërguar në gjyq ish-ministrin e Transportit, José Luis Ávalos, një aleat i afërt i kryeministrit Sánchez. Ávalos ndodhet në paraburgim dhe akuzohet për marrje ryshfeti në këmbim të dhënies së kontratave publike, ndërsa prokuroria kërkon për të një dënim prej 24 vitesh burg. PSOE e ka përjashtuar atë nga partia, ku ishte anëtar që prej vitit 1981.
Përveç kësaj çështjeje, hetime të tjera për korrupsion po prekin edhe rrethin familjar të kryeministrit. Gruaja e tij, Begoña Gómez, si dhe vëllai i madh, David Sánchez, janë nën hetim. Ky i fundit akuzohet se ka shfrytëzuar ndikimin politik të vëllait për të siguruar në vitin 2017 një post drejtues në fushën e arteve dhe argëtimit në qeverinë provinciale të Badajoz, në jugperëndim të Extremadurës.
David Sánchez pritet të dalë në gjyq në maj të vitit 2026 për ushtrim ndikimi, së bashku me dhjetë të pandehur të tjerë, mes tyre edhe kandidati socialist për presidencën e Extremadurës, Miguel Ángel Gallardo. Ndërkohë, PSOE është përballur javët e fundit edhe me kritika të forta për mënyrën se si ka trajtuar rastet e dyshuara të ngacmimit seksual që përfshijnë zyrtarë të lartë të partisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



