Nga Basir Çollaku/
Anglishtja pas-zgjedhore në Tiranë ka qenë sa e drunjtë aq e koduar por edhe shqeto. Duke lajmëruar zhvillime ndryshe nga pritshmëritë e pushteteve.
Nisi diku me 20 maj 2025, me praninë e DEA në aksionin e arrestimeve të një prej bandave të kokainës së Durrësit Troplini-Doçi, një aktor faktori elektoral. U duk se trekëndëshi DASH-DEA-DIA kishte shumë për të thënë.
22 maj 2023
Dy ditë më vonë sërish një njoftim i DEA nëpërmjet faqes së Ambasadës Amerikane në Tiranë ku kërkohej popullit shqiptar të bashkëpunonte me Agjencinë amerikanë në luftën kundër trafikut të drogës, krimit të organizuar e pastrimit të parave
Me 23 maj
Ndihmësdrejtori i ICITAP (International Criminal Investigative Training Assistance Program) në Departamentin e Drejtësisë në SHBA Stephen Fields u takua me krerët e institucioneve ligjzbatuese në Tiranë, Hoxhën, Dumanin, Prodën, Sulejmanin, e theksoi prioritetet e Prokurores së Përgjithshme të SHBA-së për luftimin e karteleve, krimin e organizuar kombëtar e ndërkombëtar dhe emigracionin e paligjshëm
Me 27 maj
Ambasada amerikane në Tiranë, shkruan në faqen e saj të parin reagim për zgjedhjet e 11 majit 2025 :
Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë..” Një urim jo prodhues fishekzjarrësh partiake. Teksa propaganda qeveritare shtrydhte gërma e Rama turrej me lobingje të shumëllojshme për të deformuar në anën e tij raportin e vëzhguesve, mbërrin një njoftim më thumbues
Me 30 maj
Ambasada hedh fjalën e zyrtarit të DASH duke veçuar fjalët thelbësore për zgjedhjet. ” ..Shtypja e fjalës, lehtësimi i emigrimit masiv, shënjestrimi i shprehjes së besimit dhe minimi i zgjedhjes elektorale kërcënojnë vetë themelet e partneritetit transatlantik.” – Samuel Samson nga U.S. Department of State: Duke konkluduar se si partneriteti ynë duhet të bazohet në trashëgiminë e përbashkët dhe jo në konformizmin globalist.
Samitet me tepër si simitet dhe bredhjet evropiane të Ramës nuk po qullosnin as me euforinë e kimisioneres Marta Kos me vaksina të Von der Leyen se do hapen kapitujt me Shqipërinë. Puna është se si do të mbyllen e kur do të mbyllen. Pak era Soros shëtit ende në BE.
Me 31 maj
Në Asamblenë e Përgjithshme të IDC-CDI, me propozimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, u miratua me votë unanime rezoluta:
“Shqipëria: Integriteti Zgjedhor dhe të Drejtat e Opozitës.” Union ku janë mbi 108 parti disa prej të cilëve janë në pushtet.
IDC-CDI kërkon:
Paralajmërohet se bashkëpunimi i qeverisë me kartelet kriminale kërcënon demokracinë në Shqipëri dhe stabilitetin në Ballkan. Kërkon Qeveri teknike për të përgatitur zgjedhje të lira, zbatim urgjent të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ndalimin e persekutimit politik ndaj opozitës, liri mediatike dhe fund propagandës shtetërore, kushtëzim nga BE i negociatave për anëtarësim me reforma të vërteta demokratike. Natyrisht ka sërish për të thënë. Gjasat janë për thellimin e negativitetit falë pasqyrimit të realitetit në raportin fundor të OSBE-ODHIR, ku kryefjala e thënë ishte, këto zgjedhje nuk përfaqësojnë vlerat e standardet demokratike të BE. Kriminaliteti dhe pushteti folën bashkë me 11 maj. Me këtë standarde nuk anëtarësohemi në Bashkimin Evropian. Pas kësaj, ku raporti nga gri bëhet i zi, natyrisht do të ketë avaze të thelluara për pushtuesit e votës.