Zjarr i madh në orët e para të mëngjesit në hyrje të Ksamilit
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne një zonë kodrinore në hyrje të Ksamilit, duke shkaktuar alarm në zonë dhe mobilizim të menjëhershëm të shërbimeve emergjente.
Sipas të dhënave paraprake, flakët janë konstatuar rreth orës 04:50, pranë një resorti turistik, çka ka rritur ndjeshëm rrezikun për përhapje të mëtejshme. Menjëherë pas sinjalizimit, forcat zjarrfikëse janë nisur drejt vendngjarjes për të vënë nën kontroll situatën.
Ekipet në terren vijojnë punën intensive për izolimin dhe shuarjen e zjarrit, ndërsa deri në këto momente nuk raportohen persona të lënduar apo dëme në ndërtesa. Megjithatë, për shkak të terrenit dhe kushteve të favorshme për përhapjen e flakëve, operacioni mbetet sfidues.
Autoritetet po monitorojnë nga afër zhvillimet, ndërsa pritet që pas neutralizimit të plotë të zjarrit të nisë edhe hetimi për shkaqet që çuan në shpërthimin e tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



