Zjarri del jashtë kontrollit në Mallakastër, kërkohet ndërhyrje nga ajri
Një vatër e fuqishme zjarri ka përfshirë gjatë natës fshatin Rriban në Bashkinë Mallakastër, duke u përhapur me shpejtësi dhe duke krijuar një situatë të rënduar në terren. Sipas informacioneve zyrtare, flakët kanë marrë përmasa të konsiderueshme, ndërsa autoritetet e cilësojnë situatën kritike.
Operacioni për shuarjen e zjarrit është përqendruar në dy drejtime kryesore, në zonat e Rribanit dhe Lofkëndit, me qëllim izolimin dhe frenimin e avancimit të flakëve drejt sipërfaqeve të tjera.
Në terren janë angazhuar 5 mjete zjarrfikëse nga Mallakastra, Fieri, Roskoveci, Berati dhe Kuçova, të mbështetura nga 30 efektivë të shërbimit zjarrfikës dhe 35 punonjës të bashkisë. Gjithashtu, janë vënë në dispozicion edhe 2 autobote me ujë për të ndihmuar në operacion. Burime zyrtare bëjnë me dije se në vijim pritet t’i bashkohen ndërhyrjes edhe 35 deri në 40 trupa të Forcave të Armatosura.
Terreni i vështirë malor, bimësia e dendur, përhapja e gjerë e flakëve dhe intensiteti i tyre i lartë kanë vështirësuar ndjeshëm punën e forcave në terren. Për këtë arsye, autoritetet kanë vlerësuar si të domosdoshme ndërhyrjen nga ajri për të përballuar situatën dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



