Zonja Manastirliu, do të hiqni Tik-Tokun si rrjet social, po me mendësinë si do të veproni?!

Elona Caslli

Zonja Manastirllu, Tik- Toku para se të jetë një rrjet social është një mendësi dhe mendësia ngjizet në mitrën kulturore të një vendi.

Ultësia e kulturës përkon me ultësinë e mendësisë. Ju mund të hiqni hapësirën e rrjetit social ku shprehet një mendësi e caktuar, por kjo nuk do të thotë se keni mjekuar problemin, por thjesht keni kufizuar një hapësirë ku shfaqet ky problem. Problemi vazhdon të ekzistojë zonja Manastirliu, sepse mendësia nuk shkulet duke mbyllur një rrjet social, por duke hartuar politika arsimore dhe kulturore që i mbushin kohën një të riu dhe nuk e lënë të vërtitet në zbrazëtinë e boshllëkut.

Tik- Tokun si mendësi e gjeni në klasat e shkollave, në oborret e gjimnazeve, në auditoret e universiteteve, në zyrat e institucioneve dhe në kabinetin e ministrive.

Papërgjegjshmëria institucionale nuk është Tik-Tok. Është mendësi.
Paaftësia dhe mediokriteti i skajshëm nuk janë Tik- Tok. Janë kritere të posaçme për të plotësuar figurën e plotë të patronazhistit vetëmohues.
Shpërfillja e revoltës së një nënpunësi nuk është Tik- Tok. Është filozofi e mirëfilltë nënshtrimi.

Post Scriptum- Tik- Toku është mendësi në këtë vend që nuk shkulet kur i heq një hapësirë ku të shfaqet, por shkulet kur i heq një hapësirë ku të lindë dhe shkulja e hapësirës ku të lindë realizohet vetëm përmes kulturës dhe meritokracisë.

 

Publikuar nga Publik Media