‘1 tualet për 35 gra’, Denar Biba ‘shpërthen’ për kushtet e punës
“7 veta në një zyrë si sardele”
Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, ka ngritur alarmin në Kuvend për kushtet e punës dhe trajtimin financiar të institucionit që drejton.
Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u diskutua projektbuxheti për vitin 2026, Biba kërkoi më shumë fonde për investime, por sidomos për përmirësimin e kushteve bazë të punonjësve.
“Buxheti i vitit 2026 parashikon 14.2 milionë lekë shtesë për investime, për zgjerimin e platformës elektronike, përmirësimin e serverave, pajisje të reja dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës teknologjike. Por çështja thelbësore janë kapacitetet njerëzore.
Duhen vite që të trajnojmë një inspektor të Autoritetit të Konkurrencës. Vetëm gjatë vitit 2024, tre inspektorë janë larguar për shkak të kushteve të këqija dhe pagave jo konkurruese. Janë 7 vetë në një zyrë 9–10 m², si sardelë. Nuk kërkojmë rritje pagash, por të paktën shtesa për vështirësi pune. Aktualisht Sekretari i Përgjithshëm ka pagë më të lartë se drejtori apo anëtarët e komisionit. Kjo është absurde,” – deklaroi Biba.
Ai shtoi se institucionit i mungojnë hapësirat, higjiena dhe arkivat, duke sjellë një situatë që e cilësoi “të papranueshme për vitin 2025”.
“Ne jemi në kushte tejet problematike edhe për higjienën. 35 zonja përdorin vetëm një tualet. Është banale që po e them, por ka ardhur momenti për ta thënë, sepse nuk mban më. Nuk kemi arkiva, muret janë plot me dosje. Ambientet e mbledhjeve janë kthyer në magazina,” – shtoi ai.
Krahas Autoritetit të Konkurrencës, edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) kërkoi më shumë fonde për vitin e ardhshëm.
Kreu i institucionit, Arben Shehu, kërkoi një buxhet prej 885 milionë lekësh për vitin 2026 — një rritje prej 13% krahasuar me vitin 2025 — për të mbuluar rritjen e stafit me 10 punonjës të rinj, si dhe për organizimin e një eventi ndërkombëtar të auditimit vitin e ardhshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



