E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
102 kontejnerë me 2,800 ton mbetje të rrezikshme pranë banesave në Shënavlash
Lajme

102 kontejnerë me 2,800 ton mbetje të rrezikshme pranë banesave në Shënavlash

Vapa e gushtit ka mbuluar edhe Shënavlashin, rreth 7 kilometra larg qendrës së Durrësit, një zonë ku banesat, bizneset dhe institucionet arsimore janë ndërthurur prej vitesh me njëri-tjetrin.

Përgjatë rrugës kryesore zhvillohet një aktivitet i dendur ekonomik, nga serviset dhe bizneset që lidhen me automjetet, deri te ndërtesat e reja të banimit. Në këtë zonë janë ngritur edhe pallatet ku janë sistemuar familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ndërsa pranë ndodhet Universiteti “Aleksandër Moisiu”.

Mes kësaj zone të banuar, pas një rrethimi metalik, ndodhen të vendosur në disa rreshta 102 kontejnerë që mbajnë rreth 2,800 ton mbetje të rrezikshme.

Jeta përreth vazhdon normalisht. Automjetet qarkullojnë në rrugën kryesore, bizneset vijojnë punën dhe banorët lëvizin pranë zonës ku janë depozituar kontejnerët. Për shumë prej tyre, prania e kësaj ngarkese është kthyer në një pamje të zakonshme, edhe pse informacioni zyrtar për përmbajtjen dhe rrezikun e saj nuk u është bërë i ditur drejtpërdrejt.

“E kemi dëgjuar në televizor se janë të rrezikshme, por nuk dimë asgjë më shumë. Kush na pyet ne?”, u shpreh një banor i moshuar i zonës.

Edhe banorë të tjerë të kontaktuar thanë se nuk kanë marrë njoftim zyrtar mbi përmbajtjen e kontejnerëve, arsyen e vendosjes së tyre në Shënavlash apo kohën që pritet të qëndrojnë aty.

Përballë, disa prej bizneseve të zonës nuk pranuan të komentojnë, ndërsa aktiviteti i përditshëm vazhdonte normalisht.

Nga porti te Shënavlashi, historia e 102 kontejnerëve

Kontejnerët që ndodhen sot në Shënavlash janë pjesë e një ngarkese që prej më shumë se dy vitesh ka lëvizur nga një pikë në tjetrën.

Fillimisht, 102 kontejnerët u kthyen në Portin e Durrësit, pasi ngarkesa ishte nisur drejt Tajlandës. Më pas u zhvendosën në Porto-Romano dhe, në mars të vitit 2026, përfunduan në Shënavlash.

Vendosja në këtë zonë u bë në kuadër të administrimit të tyre si prova materiale të sekuestruara në një procedim penal.

Më 7 gusht, deputeti i Durrësit, Igli Cara, vizitoi zonën ku ndodhen kontejnerët dhe kërkoi ndërhyrjen e institucioneve për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

Deputeti Igli Cara gjatë daljes publike. Foto: Media Amfora

“Heshtja institucionale nuk mund të jetë përgjigja ndaj një situate që prek drejtpërdrejt shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve”, deklaroi Cara.

Nga momenti i zhvendosjes së tyre në Shënavlash, në mars, deri në muajin gusht, shqetësimi nuk ishte bërë publik nga institucione apo përfaqësues të tjerë, ndërsa banorët thonë se nuk ishin informuar për praninë e ngarkesës.

Pse u zhvendosën në Shënavlash?

Prokuroria e Durrësit ka sqaruar se nuk ka qenë ajo që ka përcaktuar vendin ku do të qëndronin kontejnerët. Sipas institucionit, përgjegjësia për përzgjedhjen e vendit, transportin, ruajtjen dhe sigurinë e tyre i takon Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

AAPSK e ka lidhur zhvendosjen me një kërkesë të Autoritetit Portual Durrës, e datës 26 shkurt 2026, për lirimin e hapësirës në port.

Në përgjigjen e saj zyrtare, agjencia argumentoi se Shënavlashi u përzgjodh mbi bazën e disa konsideratave logjistike dhe operacionale. Mes tyre u renditën afërsia me zonat e aksesueshme nga transporti, mundësia e lëvizjes së ngarkesës dhe krijimi i kushteve të nevojshme për sigurinë dhe administrimin e saj.

Prokuroria e Durrësit deklaroi se ishte njoftuar më 27 mars 2026 për zhvendosjen dhe se një oficer i grupit hetimor kishte qenë i pranishëm gjatë procesit.

Megjithatë, banorët e zonës thonë se nuk kanë pasur informacion paraprak për vendosjen e ngarkesës.

“Ne e morëm vesh nga televizori. Askush nuk na ka njoftuar”, tha një tjetër banor, i cili preferoi të mos identifikohej.

A janë të ruajtur kontejnerët?

Sipas AAPSK, kontejnerët janë nën masa të vazhdueshme sigurie dhe monitorimi, përfshirë ruajtjen nga Policia e Shtetit.

Edhe Prokuroria e Durrësit ka deklaruar se ka kërkuar që ngarkesa të ruhet gjatë gjithë kohës nga strukturat vendore të policisë dhe se është siguruar shërbim 24 orë për ruajtjen e saj.

Por vëzhgimi i kryer në terren sjell një tjetër pamje.

Gjatë qëndrimit pranë rrethimit metalik ku janë vendosur kontejnerët, nuk u konstatuan efektivë policie apo struktura të tjera sigurie të dukshme në terren. Përreth, rruga vijonte të përdorej normalisht, ndërsa bizneset dhe banorët vazhdonin aktivitetin e përditshëm.

Kjo krijon një kontrast mes masave të sigurisë të deklaruara nga institucionet dhe asaj që mund të konstatohet fizikisht në zonë.

Çfarë ka brenda 102 kontejnerëve?

Pesha e kësaj çështjeje lidhet drejtpërdrejt me origjinën dhe përmbajtjen e ngarkesës.

Rreth 2,800 tonët e mbetjeve janë krijuar nga aktiviteti industrial i kompanisë “Kurum International” në Elbasan. Në korrik 2024, ngarkesa u nis nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës dhe në dokumentacion u deklarua si material tregtar jo i rrezikshëm.

Ngarkesa nuk arriti destinacionin.

Dyshimet për natyrën e materialit dhe ndërhyrja e organizatave ndërkombëtare mjedisore çuan në kthimin e kontejnerëve në Shqipëri. Në tetor 2024, ata mbërritën sërish në Portin e Durrësit, ndërsa Prokuroria e Durrësit kërkoi sekuestrimin e tyre në kuadër të procedimit penal.

Më 8 nëntor 2024, të 102 kontejnerët u sekuestruan si prova materiale dhe iu dorëzuan për administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Në atë fazë, përbërja dhe rrezikshmëria e materialit ende duhej të përcaktoheshin përmes analizave.

Analizat laboratorike konfirmuan rrezikshmërinë

Pas sekuestrimit, autoritetet kërkuan që kontejnerët të mos hapeshin dhe të ruheshin në kushte që garantonin sigurinë fizike dhe mjedisore.

Për një periudhë rreth njëvjeçare, ngarkesa qëndroi në Porto-Romano.

Më 9 tetor 2025 nisi procesi i marrjes së mostrave. Hapja e kontejnerëve u krye nën masa sigurie, me ekspertët të pajisur me kostume mbrojtëse, maska, doreza dhe pajisje hermetike. Mostrat u dërguan në Itali për analiza laboratorike.

Rezultatet ndryshuan ndjeshëm tablonë e çështjes.

Analizat e administruara në kuadër të hetimit konfirmuan praninë e elementëve dhe përbërësve që paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.

Pra, bëhej fjalë jo më vetëm për një ngarkesë të dyshuar si potencialisht e rrezikshme, por për material, rrezikshmëria e të cilit ishte evidentuar përmes analizave laboratorike.

Si dolën mbetjet nga Shqipëria?

Hetimi i Prokurorisë së Durrësit u zgjerua edhe te mënyra se si ngarkesa ishte klasifikuar dhe dokumentuar përpara eksportit.

Sipas të dhënave të hetimit, materiali ishte deklaruar në dokumente në forma të ndryshme, përfshirë si oksid hekuri dhe oksid zinku, ndërkohë që nuk ishin përdorur kodet përkatëse të mbetjeve.

Ky klasifikim ngriti dyshime se ngarkesa kishte kaluar në hallkat institucionale dhe private si mall tregtar, pa iu nënshtruar kontrolleve dhe verifikimeve që do të kërkoheshin në rast se do të deklarohej si mbetje.

Hetimi përfshiu kompaninë “Kurum International”, subjekte të tjera të lidhura me tregtimin dhe eksportin e ngarkesës, si dhe punonjës e drejtues të institucioneve të ndryshme, përfshirë Doganën e Durrësit, Autoritetin Portual Durrës dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.

Në shkurt 2026, çështja mori një tjetër zhvillim të rëndësishëm.

Prokuroria kërkoi 33 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për përfshirje në këtë zinxhir. Prej tyre, 26 ishin masa “arrest me burg”, ndërsa shtatë të tjera “arrest në shtëpi”.

Në fazën e parë u ekzekutuan 20 masa, ndërsa 13 persona u shpallën në kërkim.

Hetimi nuk kufizohet vetëm te mënyra e administrimit të mbetjeve. Procedimi penal përfshin dyshime për kontrabandë, menaxhim të paligjshëm të mbetjeve, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale.

2,800 ton mbetje të rrezikshme mes banesave dhe universitetit

Sot, 102 kontejnerët ndodhen ende në Shënavlash.

Përmbajtja e tyre nuk është më thjesht një çështje dyshimesh. Analizat laboratorike të kryera në kuadër të hetimit kanë evidentuar elementë dhe përbërës që paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.

Ndërkohë, mënyra se si kjo ngarkesë u klasifikua, dokumentua dhe tentoi të eksportohej nga Shqipëria është pjesë e një procedimi penal që përfshin kompani private dhe zyrtarë apo punonjës të disa institucioneve shtetërore.

Por pyetja që mbetet e hapur është se sa gjatë do të qëndrojnë këto mbetje në Shënavlash.

Deri tani nuk është bërë publik një afat për largimin ose trajtimin përfundimtar të tyre.

Në të njëjtën kohë, zona përreth po zgjerohet dhe po popullohet gjithnjë e më shumë. Përballë kontejnerëve ndodhen pallatet e ndërtuara për familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019, ndërsa rreth një kilometër më tej ndodhet Universiteti “Aleksandër Moisiu”.

Më 5 tetor nis viti i ri akademik 2026–2027. Studentët do të rikthehen në auditore, ndërsa pranë zonës ku zhvillohet jeta e tyre e përditshme do të vazhdojnë të qëndrojnë 102 kontejnerët me rreth 2,800 ton mbetje të rrezikshme.

Për momentin, fati i tyre përfundimtar mbetet ende i pazgjidhur.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.