IKMT gjobit kompaninë “Albchrome” në Elbasan
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka marrë masa administrative ndaj kompanisë “Albchrome”, duke vendosur gjobë dhe pezullim të përkohshëm të aktivitetit.
Kontrolli është kryer nga Drejtoria Rajonale e IKMT-së në Elbasan, me fokus verifikimin e mënyrës së menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve industriale. Gjatë inspektimit, është konstatuar se në ambientet e subjektit ndodheshin të depozituara rreth 318 ton mbetje të rrezikshme, të krijuara nga sistemi i pluhurit kapsit.
Sipas verifikimeve, kompania nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm ligjor për trajtimin e kësaj sasie mbetjesh, konkretisht mungonin kontratat për transferimin, përpunimin apo asgjësimin e tyre.
Në këto kushte, IKMT ka vendosur një gjobë prej 4 milionë lekësh ndaj subjektit. Paralelisht, është marrë vendimi për pezullimin e aktivitetit të kompanisë deri në momentin që të kryhet trajtimi dhe eliminimi i plotë i mbetjeve, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.
Autoritetet theksojnë se zbatimi i standardeve për mbrojtjen e mjedisit mbetet prioritet, ndërsa kontrollet ndaj subjekteve industriale do të vijojnë për të garantuar respektimin e rregullave dhe shmangien e rreziqeve për shëndetin dhe ambientin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



