11 mjete zjarrfikëse tek zjarri në 5 maji, kërkohet ndërhyrja e ushtrisë
Një zjarr masiv ka përfshirë tregun e rrobave të përdorura në zonën e 5 Majit në Tiranë, duke shkaktuar panik dhe dëme të konsiderueshme materiale. Flakët kanë shpërthyer fillimisht në një kapanon, për t’u përhapur më pas me shpejtësi në disa struktura të tjera përreth, për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme.
Përmasat e zjarrit e kanë bërë të vështirë ndërhyrjen, pasi vatra është shtrirë në një sipërfaqe të gjerë dhe në disa kapanone njëkohësisht. Shtëllunga të dendura tymi janë përhapur në zonë, ndërsa furnizimi me ujë po realizohet në mënyrë të vazhdueshme përmes autobotëve.
Në afërsi të zonës ndodhen pallate banimi, ku jetojnë dhjetëra familje, si dhe biznese të shumta të vendosura shumë pranë njëra-tjetrës, përfshirë edhe tregun e fruta-perimeve. Për momentin, flakët janë mbajtur larg banesave, por rreziku i përhapjes mbetet i lartë.
Zjarri vijon prej disa orësh dhe, pavarësisht përpjekjeve intensive për neutralizimin e tij, situata mbetet e rëndë. Për këtë arsye, janë kërkuar forca dhe mjete shtesë nga Kamza, Elbasani, Vora, si dhe ndihma e Forcave të Armatosura. Aktualisht në operacion janë angazhuar 11 mjete zjarrfikëse, rreth 60 efektivë, si dhe i gjithë efektivi i zjarrfikësve të Tiranës dhe Kamzës.
Autoritetet bëjnë me dije se zjarri ka përfshirë një magazinë të madhe, ku operojnë disa biznese, ndërsa materialet e djegura përbëhen kryesisht nga rroba dhe produkte të tjera jo të rrezikshme. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Për arsye sigurie, energji elektrike është ndërprerë, ndërsa policia ka vendosur dhe zgjeruar perimetrin e sigurisë, duke ndaluar qarkullimin e qytetarëve pranë zonës së rrezikut. Banorët përreth janë evakuuar, pasi flakët vijojnë të përhapen dhe zona është e mbushur me kabuj elektrikë.
Autoritetet theksojnë se neutralizimi i zjarrit kërkon kohë, ndërsa shkaqet e rënies së flakëve do të përcaktohen nga ekspertët përkatës pas shuarjes së plotë të tij. Dëmet materiale paraprakisht vlerësohen si shumë të mëdha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



