18 ditë pasi u mor peng në makinë, 22-vjeçari goditet me thikë!
18 ditë pasi u mor peng në makinë, 22-vjeçari goditet me thikë!
Bëhet fjalë për një 22- vjeçar në Roskovec, i cili u qëllua disa herë me thikë gjatë ditës së djeshme. I riu Julian G. përfundoi në Spitalin e Fierit në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërsa Policia arrestoi autorin e ngjarjes së rëndë.
NGJARJA
Policia lokale tha se pas raportimit të ngjarjes, shërbimet e Policisë u vunë menjëherë në lëvizje, duke identifikuar autorin e ngjarjes së rëndë, një 19-vjeçar. “Pas marrjes së njoftimit se në Roskovec ka ndodhur një plagosje me thikë, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Falë veprimeve të shpejta e profesionale, është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. P., i cili për motive të dobëta, kishte goditur me thikë shtetasin J. G., 22 vjeç. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 19 vjeç, banues në Patos, për veprën penale ‘Vrasje e mbetur në tentativë’. Shtetasi J. G. ndodhet në Spitalin Rajonal të Fierit, nën kujdesin e mjekëve”, sqaroi Policia.
Raportohet se i riu është qëlluar me thikë në shpatull dhe në zonën e barkut. Ndërsa dje ka qenë kunati i dy vëllezërve që e ka sulmuar duke e plagosur me thikë të riun. Ndërkohë, më 24 shkurt, u rrëmbye, u dhunua dhe u kërcënua nga dy vëllezërit Igli dhe Endri Ajdini, pasi i kishte ngacmuar të dashurën njërit prej tyre.
Ishte vetë 22-vjeçari që denoncoi rrëmbimin e tij pasi u lirua dhe Policia arrestoi dy vëllezërit. Në dëshmi, 22- vjeçari tregonte se vëllezërit e kishin çuar në një tokë në periferi të qytezës, ku e kanë dhunuar fizikisht. Më pas ata e kanë braktisur aty dhe janë larguar. Pas këtij momenti, i riu ka telefonuar Policinë lokale duke denoncuar atë çfarë kishte ndodhur.
“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar fizikisht dhe i kanë hequr lirinë në mënyrë të paligjshme përreth një orë, si dhe e kanë kanosur për jetën shtetasin J. G., 22 vjeç, banues në Roskovec. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë të mundur identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e dy autorëve”, sqaronte Policia në atë kohë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



