Nëse kërkoni të përfitoni miliona nga fondet publike, një rregull i pashkruar duket se po funksionon me përpikmëri: duhet të keni lidhjet e duhura dhe “përqindjen” e duhur për t’u ndarë. E në krye të këtij sistemi që shpërblen klientelën dhe jo konkurrencën e ndershme, qëndron drejtoresha e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OPB), Arlinda Pogaj.
Një tender me fond limit 3.3 miliardë lekë (pa TVSH) për rikonstruksionin e godinës qendrore të Spitalit të Lushnjës, është kthyer në një shembull klasik të mënyrës se si shpërblehen “të përzgjedhurit” dhe eliminohet konkurrenca reale.
11 nga 12 ofertues, të skualifikuar në emër të burokracive të fabrikosura
Tenderi i drejtuar nga OPB nën drejtimin e Pogajt ka pasur 12 operatorë ekonomikë konkurrues. Por 11 prej tyre janë skualifikuar, shpesh me justifikime teknike ose burokratike të diskutueshme, duke i hapur rrugën një fituesi pa konkurrentë përballë.
Fitues është shpallur bashkimi i operatorëve:
- “LLAZO” shpk, e Anea dhe Aldi Llazit
- “METEO” shpk, e Eral Myftarajt
- “IMPACT” shpk, e Skerdilajd Memushajt
Oferta e tyre ishte 2.6 miliardë lekë, ndonëse nuk ishte më e ulëta në garë. Përkundrazi, kishte oferta dukshëm më të leverdishme që u përjashtuan me “flamuj të kuq” të fabrikuar në formularët e kapacitetit teknik.
Ankesa që u tërhoq pa shpjegim
Ndër më të zëshmit në garë ishte “G.P.G. COMPANY” shpk, e biznesmenit Paqsor Buzi, në bashkëpunim me “SENKA” dhe “4 A-M” të Ardit Metaliaj. Ata kundërshtuan vendimin për skualifikimin, duke argumentuar se nuk kishte bazë ligjore – por në mënyrë të çuditshme më 12 maj 2025, tërhoqën ankesën, duke i dhënë fund çdo mundësie për transparencë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbylli procedimin administrativ, ndërsa e vetmja ofertë që mbeti në garë, u shpall fituese, me vlerë shumë më të lartë se ajo e konkurrentëve të tjerë.
A është ky një rast tipik i tenderëve me regji?
Në dritën e gjithë këtyre fakteve, dyshimet janë më shumë se të arsyeshme: ky tender nuk është ndërtuar për të zgjedhur ofertën më të mirë, por për të shpërblyer një grup të caktuar firmash, të cilat – sipas zërave nga brenda sistemit – kanë lidhje të forta me drejtuesen Arlinda Pogaj, e cila ka kthyer OPB-në në një agjenci selektive për ndarjen e “tepsisë” publike.
Për më tepër, skualifikimi masiv i 11 operatorëve në një tender të kësaj madhësie është jo vetëm i pazakontë, por një alarm serioz për mungesën e konkurrencës dhe për pasojat që sjell kjo për taksapaguesit shqiptarë.